Kosova

Projekti filmik “Adelina”, fitues i trefishtë në Spanjë

Një triumf i tillë konfirmon jo vetem suksesin e regjisores së re, por edhe të valës së re në kinematografinë e Kosovës

Projekti filmik “Adelina”, me skenar e regji të Aurela Berilës, është shpërblyer me tri çmimet e “Docs Barcelona” dhe një triumf i tillë konfirmon jo vetëm suksesin e regjisores së re, por edhe të valës së re në kinematografinë e Kosovës. “Këto çmime për mua janë një inkurajim i madh për realizimin e projektit në mënyrën më të mirë, ashtu siç e meriton subjekti”, ka thënë Berila. “Jemi tepër krenarë për këtë projekt. Jemi tepër krenarë për faktin që do ta ndajmë tregimin e Adelina Ismailit me botën nëpërmjet lentës së Aurela Berilës. Është edhe një validim tjetër i Aurelës si regjisore, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe e cila do ta ndajë me botën tregimin e Adelinës”, ka thënë producenti Eroll Bilibani, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se nga gjashtë çmimeve me të cilat Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar “Docs Barcelona” shpërblen projektet filmike, ai me të cilin Aurela Berila sjell rrëfimin për pop-këngëtaren Adelina Ismaili, ka marrë gjysmën prej tyre. Projekti me producent Eroll Bilibanin, udhëheqës i “DokuLabit”, shkollës e laboratorit të filmit të “DokuFestit”, ka marrë “Best Project Award”, “Best Pitch Award” dhe “San Sebastian Foro Lau Haizetara Award”. Kjo është hera e dytë që një festival në Spanjën që s’e njeh vendin, e vlerëson projektin filmik që shpalos narrativën e karrierës, ndikimin kulturor e shoqëror të Ismailit dhe jo vetëm. “Docs Barcelona” sivjet shënon edicionin e 27.

Do të ngjante i pazakontë rasti i studimit të studiueses së teorive kritike në Universitetin e Nju-Jorkut. Nuk ka shkencë në paraqitjet e Adelina Ismailit, por ajo dëshmonte se do të mund ta zbërthente nëpërmjet teorive shkencore. Të paktën kur ky studim u soll edhe në version të projektit kinematografik.

Çmimet –  që janë ndarë në kuadër të “Industry Awards” të festivalit “Docs Barcelona” –  hapin rrugët e suksesit për “Adelina”.

Në një përgjigje për kohën, studiuesja e regjisorja e dokumentarit, Aurela Berila, ka thënë shkurt se çmimet janë inkurajim për të.

“Këto çmime për mua janë një inkurajim i madh për realizimin e projektit në mënyrën më të mirë, ashtu siç e meriton subjekti”, ka thënë ajo.

Producenti Eroll Bilibani ka thënë se suksesi i filmit është dëshmi e validimit të valës së re të regjisorëve nga Kosova. Sipas tij, ata po i sjellin zë të ri e të freskët kinemasë kosovare.

“Vetë fakti që kemi ardhur në Spanjë, një vend që deri në liberalizim të vizave nuk kemi mundur të vijmë,  impresionimin e jurisë profesioniste që ta japë çmimin kryesor për projektin kryesor të ‘Docs Barcelona’, ta fitojmë çmimin për forumin në festivalin e madh në San Sebastian, por edhe sigurimi i një mbështetjeje nga ana e HBOmax, e cila besoj se në të ardhmen do të sigurojë edhe distribuim në kanale televizive dhe platforma të ndryshme ndërkombëtare, e dëshmon edhe njëherë kualitetin e filmit”, ka thënë Bilibani.

Ai është shprehur krenar me prezantimin e Aurela Berilës në festivalin e dokumentarëve “Docs Barcelona”. E ka konsideruar atë si regjisore me potencial të jashtëzakonshëm.

“Në atë moment isha shumë krenar me prezantimin e Aurelës, e cila me të vërtetë i fascinoi anëtarët e jurisë dhe nga gjashtë çmime, gjysmën i morëm ne. Jemi tepër krenarë për këtë projekt. Jemi tepër krenarë për faktin që do ta ndajmë tregimin e Adelina Ismailit me botën nëpërmjet lentës së Aurela Berilës. Është edhe një validim tjetër i Aurelës si regjisore, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe e cila do ta ndajë me botën tregimin e Adelinës”, ka thënë Bilibani, teksa ka falënderuar edhe Adelina Ismailin që “ua ka besuar tregimin e vet personal” si dhe Ministrinë e Jashtme dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës për përkrahjen.

Sipas tij, këto çmime “kanë domethënie të veçantë sepse shihet që festivalet, industria ndërkombëtare e filmit është në kërkim të regjisorëve, zërave të freskët inovativë që mund të shndërrojnë materialet arkivore në tregime, filma që janë për audiencat e gjera dhe të cilat munden të kenë distribuim nëpër kinema”.

“Adelina” ka pasur një shfaqje të enjten. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar “Docs Barcelona” po mbahet prej 2 deri më 12 maj.

“Docs Barcelona” është projekt global i specializuar në zhanrin dokumentar. Brenda ngjarjes përfshihet festivali, tregu profesional, një rrjet ekspozitash dhe kurse për filmbërësit. Përbëhet nga seksione ndërkombëtare konkurruese, jashtë konkurrence dhe masterklase.

Çmimi për “Projektin më të Mirë” është çmimi kryesor i festivalit që për shpërblim ia ndan fituesit shumën prej 4 mijë e 500 eurosh. “Best Pitch Award” e jep si çmim platforma transmetuese “HBO Max” dhe përfshin shpërblim prej dy mijë eurosh dhe kontribut në zhvillimin e filmit dokumentar. “Adelina” do të jetë pjesë e forumit  “San Sebastian – Foro Lau Haizetara” si rrjedhojë e çmimit me të njëjtin emër. Forumi zhvillohet në kuadër të edicionit të 73-të të festivalit në San Sebastian, këtë shtator në Spanjë.

Filmat janë shfaqur në “Auditorium’s Teatro Studio” që është hapësirë multifunksionale me kapacitet prej 300 ulësesh.

Po në Barcelonë, “Adelina” ishte shpërblyer në “MakeCoProDox Forum” me çmimin “Docs around Europe Network Award at Docs Barcelona” në edicionin e pestë të kësaj ngjarjeje në gushtin e vjetëm.

Studiuesja Aurela Berila e kishte prezantuar projektin e saj në dhjetor të 2022-s në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nëpërmjet një ligjërate. “Adelina: Një tregim i qenies pa kompromis” vjen si projekt hulumtues që analizonte aktivitetin artistik të Adelina Ismailit përballë rrethanave problematike shoqërore gjatë viteve të 90-ta dhe 2000-ta, me synimin që ta lexojë atë përmes teorisë kritike dhe feministe, me shpresën që të shërbente si pikënisje e një dialogu më të gjerë mbi rolin e shprehjes individuale kreative në mendësi kolektive.

Pos një publikimi shkencor në formë të një eseje kërkimore, projekti merrte formën e një ligjërate publike me synim që subjektit t’i ofrohej hapësira meritore në kontekst akademik për të reflektuar mbi ndikimin e saj shoqëror e kulturor.

Studimi dhe projekti filmik “Adelina” prek një tematikë, e cila ndjek aktivitetin e ikonës së skenës muzikore shqiptare, Adelina Ismaili, në sfondin e ish-Jugosllavisë së viteve të ’90-ta.