Lajme

Presidenti amerikan: Irani është “shumë më serioz” në bisedime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni dhe Teherani ende po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre, edhe pse sulmet janë intensifikuar në të gjithë rajonin, duke rritur më shumë rrezikun që konflikti të përshkallëzohet në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme.

“Po bisedojmë me ta. Mendoj se po tregohen seriozë. Mendoj se… janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai, transmeton albinfo.ch.

Tutje, kur u pyet nëse kishte marrë një vendim për rifillimin e sulmeve në shkallë të plotë, mes raportimeve të mediave se po takohej me këshilltarët e tij për këtë çështje, ai tha se nuk ka marrë një vendim të tillë.

“Jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për të vepruar. Por, po bisedojmë me ta, kështu që mendoj se derisa po bisedojmë, do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj. Besoj se… ata janë shumë seriozë. Duhet të jenë”, tha Trump.