Lajme

Presidenti amerikan e mohon se Izraeli e shtyu në luftën me Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli kurrë nuk e kishte bindur të hynte në luftë me Iranin.

Ai ka deklaruar se sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023 i përforcuan mendimin e tij “të përjetshëm” se Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore.

Deklaratat vijnë pasi New York Times, ka raportuar se këshilltarët më të ngushtë të Trumpit, ishin të shqetësuar me një parashikim izraelit të paraqitur nga kryeministri Benjamin Netanyahu para fillimit të operacionit. Përveç kësaj, ish-kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent, ka thënë shprehimisht në dorëheqjen e tij, dhe shumë herë që atëherë, se ai beson se Izraeli përdori kanale të fshehta për të bindur administratën të nisë sulmet për të ndihmuar në arritjen e objektivave të veta, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, Trump dhe Shtëpia e Bardhë e kanë mohuar vazhdimisht këtë.

Teksa në postimin e sotëm në “Truth Social”, Trump ka sulmuar raportimet duke i quajtur “gënjeshtra dhe histori të sajuara”, duke thënë se “rezultatet në Iran do të jenë të mahnitshme”.