Integrimi

Politikanët shqiptarozviceranë, Pro & Contra Iniciativës Familjare

Arbër Bullakaj nga SP është kundër „Iniciativës familjare“ të CVP ndërsa Blerim Bunjaku nga EVP, është pro. Të dy politikanët shqiptarozviceranë janë kandidatë në zgjedhjet për Parlamentin Nacional të Zvicrës

Të dielën, më 8 mars, qytetarët zviceranë do të votojnë „Iniciativën Familjare“ të  partisë zvicerane, CVP, për lirim nga taksa të shtesave të fëmijëve dhe atyre të arsimit.

Në vigjilje të votimit, Albinfo.ch ka vënë përballë njëri tjetrit dy kandidatë shqiptaroziceranë për Parlamentin Nacional të Zvicrës: Arbër Bullakaj nga SP/PS dhe Blerim Bunjaku nga EVP. Ata dalin me qëndrime të kundërta rreth “Iniciativës Familjare”

„Në shikim të parë njeriu mendon: një punë e mirë“! shkruan nënkryetari i partisë socialdemokrate në Kantonin St. Gallen dhe ansambleisti i qytetit Wil, Arbër Bullakaj. „Familjet me fëmijë duhet të lirohen nga tatimi“, për këtë angazhohem edhe unë, thotë ai, „fëmijët dhe shtesat për arsim duhet të lirohen nga taksat“.

Por, së pari të shfletojmë faktet: Sistemi i tatimit lejon veçanërisht në nivel federal një mori zbritjesh për familjet me fëmijë. Plot gjysma e amvisërive me fëmijë, nuk paguan sot më tatim në nivel federal. Lirimi vjetor për familje sillet tek 900 milionë franga, argumenton Bullakaj.

Bullakaj, SP: Përfitojnë vetëm ata që kanë paga të larta

„Tatimet kantonale dhe komunale lejojnë reduktime të ndryshme, por sipas llogarisë së administratës tatimore zvicerane, këto reduktime bëjnë edhe njëherë plotë 2,2 miliardë franga. Tek iniciativa që kemi, manipulimi qëndron në detaje, sa më të larta të ardhurat e prindërve apo njërës pjesë të prindërve, aq më të mëdha do të dilnin kursimet nga tatimi. Sa më të larta të ardhurat aq më i lartë tatimi në përqindje, prandaj po ashtu edhe shuma që do të kursehej.“

Një shikim në tabelën progresive të të ardhurave tatimore zvicerane tregon 200 mijë franga për kursim tatimor me mbi 30%. Kurse tek të ardhurat e ulëta dallimi qëndron prej 0 deri 15 për qind.

Iniciativa kërkon që paratë e fëmijëve dhe shtesat e arsimit të mos llogaritën në të ardhurat e prindërve. Nëse marrim për shembull një prind që fiton 50 000 franga dhe merr për një fëmijë 2 400 franga „shtesa për fëmijë“, të ardhurat bruto pas iniciativës nuk janë më 52 400, porse 50 000 franga.

Mirëpo t`i hedhim njëherë një shikim tabelës tatimore pa zbritjet shtesë: Me 50 000 franga në vend të 52 400 frangave bruto, shkalla e tatimit praktikisht nuk ndryshon. Sido që të jetë,  taksapaguesi netto (pas krejt zbritjeve) mbetet me 30 deri në 45 mijë franga. Shkalla e tatimit pra nuk do të pësojë ndryshim, sepse në këto kategori të të ardhurave, praktikisht në çdo kanton „shumat e lira“ janë më të larta.

Kush fiton 200 000 franga në qytetin e Cyrihut, paguan taksën maksimale mbi të ardhurat. Po fitoi në mes 150 000 dhe 200 000 franga, ai paguan dukshëm më pak.

Dhe nëse tani „shtesat për fëmijë“ nuk do të llogariteshin në të ardhurat bruto, edhe tatimi do të qëndronte qartë nën tatimin e mëparshëm.

Këtu bëhet fjalë për kategorinë e të ardhurave me 200 mijë franga të cilët mund të kursejnë deri 1 700 franga në vit. Përderisa kush fiton më pak se 50 mijë franga, nuk ka asnjë përfitim, mbetet në tarifat zero.

„Kush fiton 50 000 frankë në vit, nuk kursen asgjë, thotë i bindur ekonomisti shqiptar. Kurse  kush fiton 200 000 kursen shumë. Pra sa më të larta t`i kesh të ardhurat bruto, aq më tepër do të përfitosh nëse kjo iniciativë do të votohet! „Thënë shkurt“, deklaron ai, „këtu promovohen  shtresat e gabuara sociale“.

 Blerim Bunjaku, EVP: Më mirë pak se fare!

Socialdemokratët promovojnë me të drejtë zbritje për taksapaguesit me të ardhura të ulëta dhe jo për ata me të ardhura të larta, siguron ai.  Shi për këtë, duhet kuptuar sugjerimi i SP-së, ngul këmbë Bullakaj dhe shprehet, „ne nuk jemi kundër zbritjeve për familjet me fëmijë, por promovojmë zbritje për ata që fitojnë pak“ deklaron, Arber Bullakaj, drejtor i firmës A&O Consulting.

Më mirë pak,  se asgjë! Ky është mendimi im personal por edhe i shumicës domethënë 2/3 të EVP-s që e përkrahin “Iniciativën Familjare” të CVP-së. E vërtetë është që ata që fitojnë më shumë do të kursejnë më shumë dhe ata që fitojnë më pak do të kursejnë edhe më pak…

Familjet me fëmijë janë shumë të rëndësishme për shtetin nga shumë aspekte. Pavarësisht nga lehtësimi taksave nëpërmjet iniciativës, kostoja e rritjes së fëmijëve është ende shumë e shtrenjtë. Familjet me fëmijë duhet përsëri të vlerësohen më shumë nga shoqëria. “Natyrisht dhe shumë e rëndësishme që duhet edhe të shikohet që të mos hapen gërshërët mes të pasurve dhe të varfërve edhe më shumë,  por prapë se prapë,  iniciativa e familjes nga CVP-ja është një kursim për të dyja palët edhe pse të pasurit do të kursejnë më shumë”, thekson politikani dhe pronari i firmës së suksesshme të IT, Enyx.

Unë nuk e kuptoj arsyen përse SP por edhe partitë tjera janë kundër iniciativës, kur kjo dhe shumë parti tjera thonë se angazhohen për familjet. Kur thonë që familjet që fitojnë më pak se CHF 50`000 në vit nuk do të kenë kurrfarë fitimi,  kjo është e vërtetë por cilat familje janë ato që kanë fëmijë dhe fitojnë më pak se kaq? Ato përbëjnë një përqindje shumë të vogël. Sepse një familje mesatare ka përafërsisht CHF 85`000 deri CHF 125`000 të ardhura dhe këtu shihet që do të kenë përfitim prej CHF 500 deri CHF 1200 në vit, thotë politikani i EVP-së dhe kandidati i kësaj partie për zgjedhjet kantonale dhe nacionale

Surpriza më e madhe ka qenë që edhe SVP e përkrah këtë iniciativë dhe e mbështesin plotësisht, përfundon ai.

 

Votimi më 8 mars 2015 : Iniciativa-familjare e CVP-së

Pozicionimi: Iniciativa familjare e CVP-së kërkon zbritje shtesë për familjet me fëmijë.  Për këtë arsye kërkohet që shtesat për fëmijë dhe arsim në të ardhmen të lirohen nga tatimi në të ardhura.

 Përkrahësit e iniciativës: CVP, SVP, EDU, EVP

 Kundërshtarët: FDP, SP, Të Gjelbrit, BDP, GLP, shumë degë të partive kantonale të SVP-së, VPOD,  Drejtorët e Konferencës Kantonale të Fianancave