Lajme

Përse njerëzit në Finlandë, Danimarkë, Zvicër e Islandë janë më të lumtur?

Nordikët e fitojnë gjithmonë garën e lumturisë. Finlanda zuri vendin e parë për të pestin vit radhazi, e ndjekur nga Danimarka, Zvicra dhe Islanda. Por, pse njerëzit në këto vende janë kaq të lumtur?

Disa thonë se shkak për këtë është fakti se këto janë vende të vogla, homogjene dhe të pasura. Disa vite më parë, një studim madje sugjeroi se arsyeja ishte se këta popuj janë gjenetikisht të përcaktuar për të qenë më të lumtur.

Por, sipas Raportit Botëror të Lumturisë, këto teori nuk janë të sakta.

Fillimisht, le të flasim për paratë

Po, vendet nordike janë të gjitha relativisht të pasura dhe të lumtura, por jo të gjitha vendet relativisht të pasura janë të lumtura ashtu si nordikët. Singapori, një nga vendet më të pasura në botë, renditet në vendin e 27-të, ndërsa Kuvajti, vendi i pestë më i pasur në botë, renditet në vendin e 54-t për sa i përket lumturisë.

Faktori i vetëm i lidhur me paratë që duhet marrë në konsideratë është fakti se vendet nordike njihen për nivele të ulëta të pabarazisë në të ardhura, megjithatë studiuesit nuk kanë mundur të vërtetojnë se kjo lidhet me rritjen e kënaqësisë. Gjëja që ata kanë vërtetuar është se nëse pabarazia në të ardhura sjell mungesën e besimit, atëherë kjo kontribuon drejtpërdrejt në uljen e kënaqësisë në jetë. E thënë më thjesht, njerëzit e urrejnë kur ndihen të mashtruar.

 

Atëherë, duhet të jetë gjenetike. A janë këto vende biologjikisht më të predispozuara për të qenë të lumtur?

Edhe nëse përgjigjja e kësaj pyetjeje do të ishte po, ajo do të shpjegonte vetëm një të tretën e kënaqësisë së këtyre popujve.

Shkenca na ka thënë prej vitesh se gjenetika luan një rol në shpjegimin e kënaqësisë së njerëzve me jetën e tyre. Ekspertët e lumturisë i quajnë këto elementë si ‘biomarkerët’ e lumturisë.

Megjithatë studimet na tregojnë se 60 deri në 70 për qind e ndryshimit në lumturinë e njerëzve shkaktohet nga faktorë mjedisorë, kështu që vetëm pjesa prej 30 deri në 40 për qind që mbetet mund t’i atribuohet gjenetikës.

Arsyeja nuk lidhet me faktin se janë kombe ‘të vogla’ dhe ‘homogjene’

Autorët e Raportit Botëror të Lumturisë thonë gjithashtu se ata nuk kanë mundur të provojnë një lidhje midis madhësisë së popullsisë së një vendi dhe kënaqësisë së njerëzve.

Dhe për më tepër, vendet nordike nuk janë tërësisht homogjene. Rreth 8 për qind e popullsisë finlandeze ka lindur jashtë vendit, pothuajse e njëjta përqindje si në Danimarkë, ku 7,5 për qind e popullsisë përbëhet nga të huajt. Këto shifra nuk janë edhe aq të ndryshme nga vende si Franca, ku emigrantët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë.

Dhe nëse ende mendoni se 10 për qind nuk është një shifër domethënëse, gjetjet nga Raporti Botëror i Lumturisë 2018 treguan se numri i emigrantëve në një vend nuk ka asnjë ndikim në nivelin mesatar të lumturisë të atyre që kanë lindur aty.Nga vendet më të lumtura të botës, 10 prej tyre kishin një përqindje të emigranteve që ishte mesatarisht 17.2 për qind, rreth dy herë më shumë se mesatarja globale.

Dhe ajo që është akoma më e rëndësishme është fakti se analizat e tjera tregojnë që efekti i diversitetit etnik në besimin social bëhet i parëndësishëm kur ekzistojnë institucione qeveritare cilësore. Dhe kjo na sjell te elementi kryesore që shpjegon lumturinë e vendeve nordike: besimi.

Cilësia e institucioneve qeveritare dhe shtetit social i mirëqenies

Këto dy elementë kanë një ndikim shumë të rëndësishëm dhe pozitiv në kënaqësinë e njerëzve (në fakt, aq të rëndësishëm saqë Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit mund të funksionojë si një indikator për të treguar se si renditen vendet nga lumturia).

Të dhënat tregojnë se njerëzit janë më të kënaqur me jetën e tyre në vendet ku ka institucione cilësore. Kjo zakonisht ndahet në dy pjesë: cilësia e demokracisë dhe cilësia e standardeve. Kjo e fundit lidhet më shumë me lumturinë e qytetarëve, sipas Raportit Botëror të Lumturisë: pensionet e mira, leja prindërore, përkujdesi për të sëmurët dhe invalidët, shëndetësia dhe arsimi falas, përfitimet e papunësisë, etj.

Institucionet qeveritare cilësore janë të suksesshme në uljen e niveleve të pabarazisë dhe kjo i bën njerëzit të lumtur, për shkak se ata mendojnë se mund t’u besojnë institucioneve të tyre publike.

‘Besimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm’

Një nga eksperimentet e zhvilluara për të testuar dhe për të vërtetuar rëndësinë e besimit ishte duke i pyetur njerëzit nëse mendonin se do t’i kthehej portofoli i tyre po ta humbnin atë.

Studiuesit krahasuan gjasat që një i anketuar të mendonte se portofoli i humbur do t’i kthehej, me rezultatin e kënaqësisë në jetë. Të dhënat treguan se ata që prisnin që t’u kthehej portofoli kishin një vlerësim të kënaqësisë në jetë prej më shumë se një pikë më të lartë, në një shkallë nga 0 deri në 10.

Me fjalë të tjera, njerëzit që besonin se do t’u kthehej kuleta e konsideronin veten më të lumtur se ata që nuk besonin se do t’u kthehej kuleta.

Reader’s Digest, një kompani amerikane, kreu një eksperiment të ngjashëm në rang global në vitin 2021. A mund ta merrni me mend se cili ishte qyteti ku kuletat e humbura kthehshin më shpesh se kudo tjetër? Helsinki.

Vlerat liberale janë kyçe: taksimi progresiv dhe liria për të bërë zgjedhje për jetën

Studiuesit kanë zbuluar një lidhje të fortë midis taksimit progresiv – një norme tatimore që rritet me rritjen e shumës së tatueshme – dhe vlerësimit të njerëzve për lumturinë e tyre në jetë.

Taksimi progresiv sjell lumturi më të madhe të njerëzve përmes të mirave publike dhe të përbashkëta, si: kujdesi shëndetësor, arsimi dhe transporti publik. Të gjitha këto janë disa të mira që ky tatim ndihmon për t’i financuar. Dhe më e rëndësishmja, siҫ mund ta merrni me mend, besimi. Njerëzit besojnë se paratë e tyre do të përdoren dhe do të shpërndahen me mençuri.

Përsëri, në shoqëritë më të barabarta, njerëzit i besojnë më shumë njëri-tjetrit. Dhe besimi social është ai që kontribuon në ndërtimin e institucioneve më të mira.

\Çfarë mund të na mësojnë nordikët rreth arritjes së besimit dhe të lumturisë?

Bëhuni një qytetar më i angazhuar dhe nxitini institucionet që t’i shërbejnë interesit publik. Luftoni për të mbrojtur organet demokratike si shtypi i lirë, i cili ndihmon në fuqizimin e qytetarëve dhe në llogaridhënien e qeverisë.

Bashkohuni me aktivitetet kulturore dhe lokale për të ndërtuar ndjenjën tuaj të komunitetit, të besimit dhe të kohezionit social.

Kujdesuni për gjërat e mira dhe për atë që po shkon mirë në botë. / Euronews


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI