Integrimi
Përpjekje për të kompensuar dorën e munguar të shtetit
Njoftimi se Ministria e Diasporës mbështet materialisht manifestimin për 17 Shkurtin kishte ngjallur interesim të madh te shoqatat shqiptare në Zvicër
Ndihma e ofruar nga shteti për organizimin e ndonjë aktiviteti në diasporë nuk është diçka me të cilën është mësuar mërgata. Prandaj, njoftimi se në konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, me iniciativën dhe praninë e ministrit të diasporës, do të vendosej për mbështetjen financiare të manifestimit kushtuar 17 shkurtit, kishte ngjallur interesim të madh te shoqatat shqiptare në Zvicër.
Në një sallë të konsullatës të mbushur përplot, mysafirët e ardhur nga Prishtina kishin sjellë me vete disa tema për trajtim, njëra prej të cilave nuk priste: caktimi i një këshilli për kremtimin e përbashkët të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës
Ministri i diasporës, Ibrahim Makolli me staf, pastaj Mustafë Xhemajli, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bernë dhe nikoqiri, konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa, kishin marrë mbi vete një angazhim të veçantë. Ata po përcillnin te përfaqësuesit e mërgatës mbështetjen e qeverisë për manifestimin në fjalë.
Ideja ishte që me një manifestim të përbashkët e të denjë, të evitohej shkapërderdhja në shumë manifestime të vogla e pa koordinim, që ndonjëherë mbahen edhe brenda një dite dhe një qyteti.
Ideja, e cila në vetvete u konsiderua e qëlluar nga të gjithë pjesëmarrësit, u vlerësua megjithatë e vonuar. Jo vetëm pse ajo ishte nisma e parë e tillë që po vinte nga shteti i Kosovës që ekziston prej gjashtë vitesh, por i vonuar u quajt edhe njoftimi për këtë nismë, që vinte vetëm tri javë para festës.
Siç u shprehën një numër përfaqësuesish të shoqatave, në këtë hapësirë kohore pothuaj nuk mbetej afat që teknikisht të përgatitej si duhej një manifestim me pretendime të tilla. Pati vërejtje edhe për emërimin e një këshilli iniciues, i cili siç doli në këtë takim, kishte bërë edhe zgjedhjen e lokalit ku do të mbahet manifestimi.
Pasoi një debat i stërzgjatur, ku secila shoqatë (madje edhe nga 2 e 3 përfaqësues të tyre) dëshironte të pohonte atë që tashmë dihej: se ideja ishte e mirë por se ishte paksa e vonuar. Më tutje debati rrezikoi të rrëshqiste edhe në fyerje në baza personale derisa më në fund u vendos që përfaqësuesit e shoqatave të ndaleshin dhe të zgjidhnin këshillin për organizimin e manifestimit.
Këshilli që u zgjodh në një rreth më të ngushtë përbëhet nga pesë veta dhe ai pastaj do ta zgjedhë edhe kryetarin.
Ministri Makolli rrugën për në Zvicër e kishte marrë edhe për dy tema tjera: regjistrimi i diasporës dhe grumbullimi i lëndës arkivore të mërgatës dhe diasporës.
Për këtë qëllim në stafin e tij në Konsullatën e Kosovës në Cyrih kishin ardhur edhe zyrtari për regjistrimin e diasporës Xhevat Hulaj dhe ai për grumbullimin e lëndës arkivore e muzeore, historiani Muhamet Shatri.
I pari ishte këtu për të informuar mërgimtarët për regjistrimin e diasporës dhe mërgatës, si një projekt mjaft ambicioz që ka iniciuar Ministria. Ai sqaroi para të pranishmëve qëllimin për të cilin po bëhej ky regjistrim dhe metodat e kriteret që do të ndiqeshin. Sipas tij, regjistrimi i respektonte dhe i mbronte të dhënat personale sipas standardeve më të larta evropiane për këtë çështje.
Regjistrimi i diasporës është i rëndësishëm në radhë të parë për njohjen e numrit të kosovarëve që jetojnë në diasporë. Në bazë të këtij numri pastaj do të dihet përqindja e shtetasve kosovarë edhe në regjistrat për votim në Kosovë, në identifikimin e numrit të nxënësve shqiptarë në mërgim etj., ka shtuar ministri Makolli duke u inkuadruar në debatin rreth regjistrimit.
Ndërsa Muhamet Shatri ka folur në emrin e komisionit për grumbullimin e lëndës arkivore e muzeore. Ai ka nënvizuar rëndësinë që ka grumbullimi i kësaj lënde, duke njohur kontributin e madh të mërgatës sonë në të gjitha fazat e angazhimit për shtetësi të Kosovës.
Shatri ka thënë se qëllimi i fundit i këtij projekti është ngritja e një arkivi dhe një muzeu të diasporës. Përmes grumbullimit dhe përzgjedhjes, verifikimit e përpunimit profesional të lëndës arkivore e muzeore, ka thënë Shatri, do të bëhet vlerësimi meritor i punës së mërgatës në vite.
/B.SH./
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Londër
Eralda Qirjo dhe Arben Neza zgjidhen në Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër Dy kandidatët shqiptarë fitojnë mandatet në zgjedhjet lokale të 7 majit 2026 nën siglën e Partisë... -
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut -
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten










