Lajme

Paralajmërohet rritje e temperaturave globale

Organizata Botërore Meteorologjike (World Meteorological Organization, WMO), ka vlerësuar se temperaturat globale do të arrijnë një rekord të ri në pesë vitet e ardhshme, dhe ka mundësi më të madhe që të rriten përkohësisht më shumë se 1.5 gradë Celcius, për herë të parë në historinë njerëzore.

Shkencëtarët thanë për herë të parë, se kishte një shans 66%, që rritja mesatare vjetore e temperaturës së sipërfaqes në botë, do të kalonte përkohësisht 1.5 gradë Celcius dhe do të arrinte deri në 1.8 gradë Celcius deri në vitin 2027, nivel më i lartë se nivelet para-industriale.

Vlerësimi 66 % i një shkeljeje të përkohshme të pragut 1.5 gradë, është shumë më i lartë se vlerësimet prej rreth 48 % një vit më parë dhe “afër zeros” në 2015.

Raporti, i përpiluar nga studiues nga 11 organizata në mbarë botën, duke përfshirë ato në Europë, Amerikën e Veriut, Japoni dhe Kinë, mbulon vitet 2023 deri në 2027.

Autorët thanë se kishte një shans 98 %, që një nga pesë vitet të tejkalonte rritjen rekord të temperaturës prej 1.28 gradë Celsius, të arritur në vitin 2016 dhe se gjysma e dekadës së ardhshme në tërësi, do të ishte më e ngrohta e regjistruar.

Rikthimi i fenomenit të motit El Niño në Oqeanin Paqësor, pritet deri në fund të këtij viti, i cili zakonisht rrit temperaturat globale.

Temperaturat e Arktikut pritej të rriteshin më shumë se tre herë më shpejt se mesatarja globale, pasi shkrirja e borës dhe akullit zvogëlon aftësinë për të reflektuar diellin dhe shkakton ngrohje më të madhe se kudo tjetër.

“Tani jemi pranë një tejkalimi të temperaturës prej 1.5 gradë Celcius. Kjo është hera e parë në historinë njerëzore, që kemi qenë kaq afër, ” tha Adam Scaife, kreu i parashikimeve mujore në Qendrën Hadley Met Office, në Mbretërinë e Bashkuar.

Viti më i nxehtë i regjistruar në vitin 2016, ndodhi gjatë një ngjarjeje “jashtëzakonisht të fortë” El Niño.

Fenomeni i kundërt i motit, La Niña, ka vazhduar për tre vjet dhe zakonisht ka një efekt ftohës. Pavarësisht kësaj, tetë vitet nga viti 2015 ka të ngjarë të kenë qenë periudha më e ngrohtë e regjistruar, sipas vlerësimit të WMO.

Temperaturat globale janë rritur të paktën 1.1 grade deri tani në një bazë mesatare afatgjatë. Marrëveshja e Parisit i detyron kombet në mbarë botën, të kufizojnë rritjen mesatare të temperaturave në terma afatgjatë në 1.5C, në mënyrë ideale – që është një masë e ndryshme nga rritja mesatare në një vit të caktuar. Shkencëtarët parashikojnë, se ndryshimet e pakthyeshme në planet, do të ndodhin përtej atij niveli të ngrohjes.

Gjatë pesë viteve të ardhshme, studiuesit parashikuan se ngrohja në Arktik do të ishte “disproporcionalisht e lartë”. Shkrirja e akullit të detit, mund të nënkuptojë hapjen e më shumë korsive të transportit detar, tha Leon Hermanson, një shkencëtar i lartë në Qendrën Met Office Hadley.

Ndërsa planeti ngrohet, zonat me gjerësi të lartë në hemisferën veriore, si Skandinavia dhe Siberia, pritet të përjetojnë reshje mbi mesataren midis nëntorit dhe marsit gjatë pesë viteve të ardhshme.

Ndërmjet majit dhe shtatorit, ndërkohë, reshjet pritej të ishin mbi mesataren e viteve 1991-2020 në rajonin Sahel të Afrikës, Europën Veriore, Alaskën dhe Siberinë Veriore, por nën mesataren në Amazonë dhe disa pjesë të Australisë.

Të gjitha këto ishin kushte “në përputhje me ngrohjen e klimës”. / The Financial Times