Lajme

Panairi “Vjena 2025“, bashkoi bizneset e trojeve shqiptare

Në panairin “Vjena 2025” u prezantuan një numër i madh firmash nga të gjitha fushat, duke përfshirë ndërtimtarinë, gastronominë, IT, median, patundshmërinë dhe shumë të tjera

Kompani të shumta shqiptare nga Austria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës ishin pjesëmarrëse në panairin e bizneseve shqiptare në Austri, i cili u mbajt më 26 prill në Vjenë.

Ky panair u organizua për të pestën herë dhe u mbajt nën organizimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri.

Në panairin “Vjena 2025” u prezantuan një numër i madh firmash nga të gjitha fushat, duke përfshirë ndërtimtarinë, gastronominë, IT, median, patundshmërinë dhe shumë të tjera.

Panairi, i cili u hap në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 18:00, u ndoq nga një numër i madh bashkatdhetarësh dhe miqsh austriakë. Të pranishëm ishin deputeti i Parlamentit Austriak, Andreas Minnich—i cili njëkohësisht është edhe kryetar i shoqatës “Miqësia Kosovë–Austri”—pastaj ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, z. Albinot Bimbashi, dhe kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare në Finlandë, Omer Nura. Gjatë ditës, panairin e vizitoi edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl.

 

Albinfo.at ishte e pranishme dhe ka marrë disa prononcime nga të pranishmit.

Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri dhe pronar i kompanisë “Blakaj Fenster & Türen GmbH”, ka thënë për Albinfo.at se panairet e tilla hapin rrugë të reja për bashkëpunim mes njëri­tjetrit dhe janë mundësi e mirë për plasimin e prodhimeve kosovare drejt tregut evropian.

“Është një kënaqësi e madhe që në evente të tilla takohemi me biznese të ndryshme shqiptare, qoftë nga trevat tona shqiptare, por edhe me biznese nga Evropa. Siç shihet, ekonomia në mbarë botën prej tri vjetësh është në recesion, ndërsa ne, si Rrjet i Bizneseve, po mundohemi të motivojmë bizneset me takime të tilla frytdhënëse, duke iu dhënë një mundësi shtesë, sidomos prodhuesve nga vendlindja që synojnë tregun evropian”, theksoi kryetari Blakaj.

Safet Krasniqi, nga kompania “Metag GmbH” dhe kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Vjenë, theksoi se panairi ka krijuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet bizneseve në Austri e Kosovë.

“Ky është përvjetori i pestë i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare që organizohet në Vjenë, dhe edhe njëherë u vërtetua se bizneset kanë nevojë të rrinë së bashku. Jemi të lumtur me vijueshmërinë e këtij panairi, sepse si pjesëmarrja e mysafirëve, ashtu edhe prezantimi i bizneseve ishin në nivelin e duhur. U krijuan miqësi të reja, kontakte dhe bashkëpunime të reja. Prandaj ky organizim ishte një sukses jo vetëm për Rrjetin e Bizneseve Shqiptare, por edhe për gjithë komunitetin tonë në Austri”, theksoi Safet Krasniqi, i cili në këtë panair u prezantua me kompanitë “Metag GmbH” dhe “Jobsmentor.eu”.

 

Të suksesshëm këtë panair e kanë quajtur edhe dy bashkëpronarët e kompanisë “Hekuri GmbH”, Armend Mehmeti dhe Astrit Hasani,

“Një panair i organizuar mirë dhe me shumë mysafirë. Meqë ne jemi të njohur në segmentin e ndërtimit të shtëpive familjare, kishte shumë të interesuar nga komuniteti ynë të cilët pyesnin apo kërkonin oferta dhe bashkëpunime për ndërtimin e shtëpive të tyre” thonë Armendi dhe Astriti.

“Marku Steuerberatung”  është zyre për këshillime tatimore e cila është e krijuar vetëm pak ditë më parë nga Mark Marku. Pjesëmarrjen në këtë panair, Marku e  e vlerëson si një mundësi të mirë për t’u njohur me kompani të tjera shqiptare. “Kjo është pjesëmarrja ime e parë në këtë panair dhe unë jam shumë i lumtur me interesimin e kompanive shqiptare që shprehen dëshirën për të bashkëpunuar në të ardhmen me ta”, thotë ai.

 

 

Në panair të pranishëm ishin edhe vëllezërit Nuri dhe Adri Bugari të cilët u prezantuan me kompaninë e tyre “Auto Bugari GmbH”.

“Ne marrim pjesë gjithmonë, Është një aktivitet shumë i mirë i cili na mundëson të njohim njerëz të ri, biznese të reja por edhe klientë të ri. E vlerësojmë shumë këtë eveniment dhe do të jemi të pranishëm edhe në të ardhmen”, thonë vëllezërit Bugari.

 

Në mesin e shumë kompanive që kishin ardh nga Kosova për të qenë pjesë e këtij panairi, ishte edhe kompania “A-Z Izolime”.

“AZ – IZOLIME është një kompani inovative me seli në Gjakovë, Fokusi ynë është në përpunimin e mëtejshëm të materialeve me cilësi të lartë si PIR dhe lesh guri për të krijuar produkte izoluese të klasit të parë. Duke përdorur teknologjitë më të fundit dhe proceset e prodhimit me precizion të lartë, ne pozicionohemi si ofrues kryesorë në industri” thotë për albinfo.at, Engjell Duzhmani teksa shton: “Kjo ishte hera e parë që erdhëm enkas për këtë panair dhe besoj se, pas depërtimit të materialit tonë tashmë në tregun e Zvicrës, po besojmë që shumë shpejt do të jemi të pranishëm edhe në tregun e Austrisë”, nënvizoi Duzhmani.

 

Ndërkohë Omer Nura. kryetar i Rrjetit Global të Biznseve Shqiptare në Finland, pasi përgëzoj Rrjetin e Austrisë që mban frymën e bashkëpunimit mes vete në këtë kohë krize ekonomike, ai njoftoi se me  16-17 maj në Prishtinë do të mbahet konferenca e ardhshme ekonomike ku pritet të marrin pjesë rreth 400 biznese shqiptare nga mbarë bota.

Omer Nura dhe Yll Blakaj