Nxënësit në kantonet Vaud, Neuchâtel, Gjenevë dhe Jura do të rikthehen në shkolla të hënën, në një kohë kur Zvicra po përballet me valën e katërt të të nxehtit gjatë kësaj vere, transmeton albinfo.ch.
Temperaturat e larta pritet të krijojnë vështirësi veçanërisht në ambientet shkollore. Në Gjenevë, temperaturat mund të arrijnë deri në 36 gradë Celsius, ndërsa autoritetet federale kanë ngritur nivelin e rrezikut nga nxehtësia në nivelin 3 nga 5 në rajonin e Liqenit të Gjenevës.
Sindikatat paralajmërojnë për temperaturat në klasa
Sindikatat e mësimdhënësve kanë ngritur shqetësimin se klasat mund të nxehen shumë shpejt, duke e bërë më të vështirë zhvillimin normal të mësimit.
Autoritetet kantonale kanë rekomanduar masa të ndryshme, përfshirë përdorimin e ventilatorëve, shfrytëzimin e ambienteve me hije dhe shmangien e aktiviteteve sportive në ambiente të jashtme.
Megjithatë, presidenti i sindikatës, David Rey, konsideron se këto janë vetëm masa të përkohshme dhe se nevojiten ndryshime strukturore për t’i përshtatur shkollat me temperaturat gjithnjë e më të larta.
Sindikatat paralajmërojnë gjithashtu se, nëse temperaturat mbeten në këto nivele, mund të rikthehet edhe shkurtimi i ditës së mësimit, si një mënyrë për të mbrojtur nxënësit dhe mësimdhënësit nga ekspozimi i zgjatur ndaj vapës.
Situata rikthen në vëmendje debatin në Zvicër për përshtatjen e ndërtesave shkollore ndaj valëve gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit, veçanërisht gjatë fillimit të vitit të ri shkollor.