Kosova

NISMA kërkon votat e diasporës për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës

“Mbështetja e diasporës e bën demokracinë tonë më gjithëpërfshirëse”, thotë Endrit Shala, Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i NISMA-s

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në 2021, që lanë jashtë Kuvendit NISMA Socialdemokrate, kreu i saj, Fatmir Limaj, po ndërmerr hapa të rinj për të rikthyer ndikimin e partisë së tij në skenën politike të Kosovës. Në përpjekjet për t’u afruar më shumë me elektoratin, NISMA ka krijuar një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, e cila ka tetë deputetë në Kuvend. Një pjesë kyçe e kësaj strategjie është përfshirja e fuqishme e diasporës, e cila ka treguar rëndësinë e saj në zgjedhjet e kaluara; në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, nga 56,610 vota të aprovuara nga jashtë, Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar mbi 44 mijë vota, duke dëshmuar fuqinë e votës nga diaspora.

Në këtë intervistë për Albinfo.ch, Endrit Shala, Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i NISMA-s, flet për përpjekjet e partisë për të ndërtuar ura të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi me bashkatdhetarët jashtë vendit. Ai shpjegon planet konkrete të NISMA-s për t’i angazhuar më tej kosovarët e diasporës, duke përforcuar lidhjet dhe përgatitur terrenin për zgjedhjet e ardhshme.

Shala, i cili do të jetë gjithashtu vetë kandidat për deputet, ka thënë se takimet e udhëhequra nga lideri i partisë, Fatmir Limaj, me diasporën në Itali dhe Gjermani janë një nga përpjekjet e para që NISMA ka ndërmarrë për këtë qëllim. Shala thekson se ky kontakt i drejtpërdrejtë me bashkatdhetarët është vendimtar për të dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Takime të tjera janë planifikuar gjithashtu në Zvicër dhe Gjermani, me qëllim që të krijohet një lidhje e ngushtë dhe një komunikim më i drejtpërdrejtë me votuesit potencialë.

Ai ka theksuar se partia e tij ka një plan konkret për përfshirjen e diasporës, duke krijuar ekipe të posaçme për të mbajtur kontakte të rregullta me komunitetet shqiptare në diasporë. Këto ekipe kanë për detyrë të informojnë dhe mbështesin bashkatdhetarët për procedurat e votimit, për të siguruar që ata të jenë të përfshirë dhe të përgatitur për t’u angazhuar në zgjedhje pa pengesa. “Qëllimi është të ndihmojmë secilin qytetar të ndjejë se zëri i tij ka rëndësi dhe se vota e tij mund të bëjë ndryshimin”, thekson Shala.

Duke shprehur rëndësinë e angazhimit të diasporës në aspektin ekonomik dhe politik, NISMA synon të lehtësojë investimet e bashkatdhetarëve dhe të krijojë mundësi për përfshirjen e tyre aktive në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Shala ka thënë se me hyrjen e tyre në Kuvend, do të angazhohen për përmirësimin e infrastrukturës ligjore për investime, duke synuar një mjedis që garanton siguri dhe stabilitet për bashkatdhetarët që dëshirojnë të investojnë në vend.

Shala thekson rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të qëndrueshme me diasporën përtej cikleve zgjedhore. “Ne synojmë të krijojmë një strukturë të qëndrueshme bashkëpunimi, ku përfaqësues të diasporës të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit,” shton ai. Kjo qasje përfshin krijimin e platformave të dedikuara për konsultime të rregullta, duke i siguruar diasporës një angazhim të përhershëm në çështjet kyçe që prekin të ardhmen e Kosovës.

Për NISMA-n, diaspora përbën një burim të rëndësishëm votash dhe një shtysë për ndryshim. “Mbështetja e diasporës jo vetëm që mund të fuqizojë përfaqësimin tonë në parlament, por gjithashtu e bën demokracinë tonë më të plotë dhe gjithëpërfshirëse,” pohon Shala. Ai thekson se është synuar që diaspora të ketë një rol të qëndrueshëm në vendimmarrjen e vendit, duke i garantuar një zë të fuqishëm dhe një përfaqësim të vazhdueshëm.

Ndryshimet në legjislacion për votimin synojnë të krijojnë një proces më të qasshëm dhe më të drejtë për qytetarët kosovarë jashtë vendit. Pavarësisht kësaj, Shala vëren se NISMA do të vazhdojë të kërkojë përmirësime të mëtejshme, për të siguruar që të gjithë qytetarët të mund të votojnë pa pengesa burokratike apo teknike.

Sa i përket qëndrimit të diasporës në zgjedhjet e ardhshme, Shala beson se mbështetja e tyre do të shkojë për ata që vërtet përkrahin interesat e saj dhe ofrojnë plane të qarta për zhvillim ekonomik dhe përfshirje politike. “Si NISMA, synojmë të jemi zëri dhe partneri i diasporës për një Kosovë të zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse”, përfundon ai.