Lajme

Nga zhdukja kulturore te inteligjenca artificiale: pse gjuhët po humbasin?

Kur flasim për zhdukje, zakonisht mendojmë për specie bimore ose shtazore. Megjithatë, edhe gjuhët po përballen me të njëjtin rrezik. Sot, pothuajse gjysma e gjuhëve që fliten në botë konsiderohen të rrezikuara dhe qindra prej tyre kanë humbur tashmë përgjithmonë.

Që prej vitit 1950 janë zhdukur mbi 240 gjuhë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se në dekadat e ardhshme ritmi i humbjes mund të rritet ndjeshëm nëse nuk ndërmerren masa konkrete për ruajtjen e tyre.

Pse duhet të mbrohen gjuhët minoritare?

Në botë ekzistojnë më shumë se 7 mijë gjuhë, por një pjesë e madhe e tyre fliten nga komunitete shumë të vogla. Humbja e një gjuhe nuk nënkupton vetëm zhdukjen e disa fjalëve apo shprehjeve, por edhe humbjen e identitetit, historisë dhe kulturës së një populli.

Studiuesit theksojnë se të drejtat gjuhësore shpesh lidhen drejtpërdrejt me të drejtat njerëzore. Në shumë raste, zhdukja e një gjuhe ka ardhur si pasojë e diskriminimit, shtypjes ose margjinalizimit të komuniteteve që e flasin atë.

Një shembull i njohur është historia e popujve indigjenë në Shtetet e Bashkuara, ku shumë gjuhë u zhdukën për shkak të politikave asimiluese. Sot, disa komunitete po përpiqen të rikthejnë identitetin e tyre kulturor pikërisht përmes ringjalljes së gjuhëve amtare, transmeton albinfo.ch.

Gjithashtu, gjuhët minoritare mbajnë njohuri unike mbi natyrën, mjekësinë tradicionale dhe mënyrën e jetesës së komuniteteve lokale. Shumë prej tyre përmbajnë emërtime të veçanta për bimë dhe kafshë që nuk ekzistojnë në gjuhë të tjera.

Inteligjenca artificiale dhe dominimi i anglishtes

Zhvillimi i inteligjencës artificiale po krijon një sfidë të re për diversitetin gjuhësor. Modelet moderne të IA-së trajnohen kryesisht me të dhëna në gjuhë të mëdha si anglishtja, ndërsa gjuhët minoritare mbeten pothuajse të papërfaqësuara.

Studime të fundit tregojnë se shumë gjuhë të folura nga miliona njerëz kanë mungesë të theksuar të burimeve digjitale, duke i bërë ato pothuajse të padukshme për sistemet e inteligjencës artificiale.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo situatë vazhdon, teknologjia mund të përshpejtojë edhe më shumë zhdukjen e gjuhëve të rrezikuara, duke thelluar pabarazitë kulturore dhe gjuhësore në nivel global.