Kosova

Mërgimtarët në kolona deri në 18 orë në kufirin Kroaci – Mal i Zi

Kolona disa kilometra të gjata dhe problemet teknike në kontrollin kufitar kanë lënë qindra udhëtarë të bllokuar gjatë rrugës drejt Kosovës.

Qindra mërgimtarë që po udhëtojnë drejt Kosovës janë përballur me pritje që kanë zgjatur mbi 15 orë në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Kroacisë, për shkak të kolonave të gjata dhe problemeve teknike në procesin e kontrollit kufitar, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave në Prishtinë, problemet teknike gjatë verifikimit të dokumenteve kanë ngadalësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, duke krijuar kolona disa kilometra të gjata në kulmin e sezonit të udhëtimeve të mërgimtarëve.

Shumë udhëtarë kanë bërë të ditur se po përballen me kushte të vështira, pasi kanë kaluar shumë orë në kolonë, ndërsa në zonën ku ndodhen nuk kanë pasur mundësi të furnizohen me ujë dhe ushqim.

“Prej më shumë se 18 orësh jemi duke pritur. Ndodhemi në mes të malit dhe kemi mbetur pa ujë e pa ushqim”, ka deklaruar një mërgimtar për mediat në Prishtinë, duke kërkuar që institucionet të angazhohen për të ndihmuar në tejkalimin e situatës.

Deri tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar nga autoritetet kufitare për kohën kur pritet të normalizohet plotësisht qarkullimi, ndërsa fluksi i madh i automjeteve vazhdon të shkaktojë vonesa në këtë pikë kufitare.