Lajme
“Më pak heronj të luftës, më shumë Vetëvendosje”
Müller thotë se është koha “e përzierjes ndryshe të kartave”. Deri më tash në Kosovë gjithçka i është nënshtruar diktatit të stabilitetit, ndërsa tash e tutje politika duhet të bëhet më e hapur: më pak dominim ndërkombëtar dhe heronj lufte, më shumë vetëvendosje dhe demokraci"
Titulli më lart nuk është i shkruar nga ithtarë të Vetëvendosjes dhe vetëm në mënyrë të tërthortë mund të thuhet se ka ndonjë lidhje me lëvizjen me këtë emër. Fjalët nga titulli janë të ekspertit zviceran të Ballkanit, gazetarit veteran Walter Müller, të shqiptuara në një intervistë dhënë radios së transmetuesit publik të Zvicrës SRF. Ai në këtë intervistë veç tjerash shpjegon se me gjithë faktin se kosovarët kanë zgjedhur me njëfarë shumice ish krerët e luftës, fama e tyre po shkon drejt zbehjes, transmeton albinfo.ch. Por, thekson ai, zgjedhja e tyre duhet kuptuar pasi që në Kosovë punëdhënësi më i madh është shteti, e shtetin, siç thuhet “e ka në dorë” PDK-ja e cila është në pozitë prej shumë vitesh.
Më tutje Müller thotë se fituesja e vërtetë i zgjedhjeve është lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, së paku në planin e brendshëm, asaj nuk i ka prishur punë fakti se ka hedhur gaz lotsjellës në parlament, një veprim që nuk ishte shikuar mirë jashtë vendit. “Kjo parti shprehimisht e majtë dhe e re është fituesja e vërtetë e zgjedhjeve. Albin Kurti, kreu i kësaj partie, e sheh veten si socialdemokrat, ai ndërkaq dëshiron të votohet nëse Kosova do t`i bashkohet vendit fqinj, Shqipërisë.
Ai po ashtu e sheh të vështirë që në krye të qeverisë së ardhshme të vihet Haradinaj, pasi që atë Serbia e konsideron si kriminel lufte, ndërsa partia serbe në parlament dirigjohet nga Beogradi kështu që është pak e besueshme se do ta votojë.
Dhe kur jemi te stabiliteti, Müller thotë se tash, me forcimin e Vetëvendosjes është koha “e përzierjes ndryshe të kartave”. Deri më tash në Kosovë gjithçka i është nësnhtruar diktatit të stabilitetit, ndërsa tash e tutje politika duket se do të bëhet më e hapur. Shteti i ri po vjen në një fazë të re të zhvillimit: më pak dominim ndërkombëtar dhe heronj lufte, më shumë vetëvendosje dhe demokraci, transmeton albinfo ch. Por bashkë me këtë, edhe më shumë risk, më shumë kundërthënie, më shumë konflikte. Dhe kjo, nuk është e thënë të jetë më keq. Bashkësia ndërkombëtare deri tash i ka dashur më shumë “burrat e fortë”, të cilët e zotërojnë shtetin e tyre dhe i shtyjnë çështjet përpara. Kështu, janë sakrifikuar procedurat demokratike për hir të stabilitetit, që ka qenë synimi më i lartë i BE-së dhe SHBA-së. Bashkësia ndërkombëtare duhet të mësohet me faktin se kjo fazë po shkon drejt përfundimit. Në anën tjetër, qeveritë e ardhshme në Kosovë duhet të dëshmojnë se për ta është më i rëndësishëm një shtet funksional se sa xhepat e tyre.
E-Diaspora
-
Pikat kufitare: Pritje jo më të gjata se 20 minuta për të dalë nga Kosova Qendra Kombëtar për Menaxhim Kufitar, i ka publikuar të dhënat më të reja në pikat kufitare.... -
Chair Airline nis fluturimet direkte Vlorë-Cyrih -
Votat e diasporës i sigurojnë VV-së edhe një mandat, PDK humb një deputet -
Ngjarja tragjike në Crans-Montana, nuk raportohet për shqiptarë të prekur -
Kosova dhe Shqipëria në krye të kërkesave për bashkim familjar në Gjermani
Jeta në Austri
-
Festat zyrtare austriake dhe pushimet shkollore për vitin 2026 Festat zyrtare të Austrisë 2026 dhe pushimet shkollore të Vjenës 2025/26. Kalendari i plotë me... -
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja











