Lajme
Marshi për drejtësi dhe mbrëmja për Ukshin Hotin sjellin plagët e Kosovës në Gjenevë
Edicioni i dytë i Marshit për Drejtësi mbahet më 30 gusht në Gjenevë, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë
Gjeneva do të mirëpresë, të dielën më 30 gusht 2026, një ditë të veçantë kujtese, solidariteti dhe angazhimi për të vërtetën dhe drejtësinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë .
Kjo ngjarje do të mbledhë përfaqësues të autoriteteve, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Gjenevë, për të nderuar viktimat e zhdukjeve me dhunë dhe për të mbështetur familjet e tyre në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë , Gjeneva do të organizojë, të dielën më 30 gusht 2026, edicionin e dytë të Marshit për Drejtësi, nismë e Shoqatës Kulturore Dora d’Istria.
Ky marsh paqësor do të bashkojë shumë shoqata, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitete të ndryshme që jetojnë në Gjenevë, ndër to komunitetin shqiptar të Kosovës, komunitetin boshnjak, ukrainas, kilian, argjentinas, palestinez, kroat dhe shumë të tjerë, të gjithë të prekur nga tragjedia e zhdukjeve me dhunë..
Së bashku, ata do të përcjellin një mesazh kujtese, solidariteti dhe mbështetjeje për familjet e personave të zhdukur, në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë.
Grumbullimi i pjesëmarrësve do të fillojë në ora 13:30 në Parc des Cropettes, ndërsa marshi do të nisë në ora 14:00.
Kolona do të kalojë nëpër Rue de Montbrillant dhe Avenue de France, për të mbërritur në Place des Nations para OKB-së, ku deri në orën 17:00 do të zhvillohet programi zyrtar me fjalime të personaliteteve të ndryshme, performanca artistike dhe homazhe në nderim të viktimave të zhdukjeve me forcë.
Në orën 19:00, dita do të vazhdojë me një mbrëmje të veçantë kushtuar Ukshin Hotit, figurë emblematike e Kosovës, i rrëmbyer me forcë më 15 maj 1999, një ditë para lirimit të tij nga Burgu i Dubravës, dhe që prej asaj dite rezulton i zhdukur.
Gjatë kësaj mbrëmjeje do të prezantohet libri Conversation à travers les barreaux, i cili sjell në dritë trashëgiminë intelektuale të Ukshin Hotit.
Në vitet kur Ukshin Hoti mbahej i burgosur në Nish nga regjimi serb, lindi një dialog i jashtëzakonshëm mes tij dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Njëri shkruante nga Parisi.
Tjetri përgjigjej nga qelia e tij.
Ata nuk ndanin të njëjtën hapësirë, por ndanin të njëjtën liri mendimi.
Nga ky letërkëmbim lindi një dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe njerëzore, e përkthyer tashmë në gjuhën frënge nga Sébastien Gricourt, i cili do të jetë i pranishëm në këtë mbrëmje së bashku me Andin Hotin, djalin e Ukshin Hotit dhe ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Kjo ditë do t’i kushtohet të drejtës për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën për të gjitha viktimat e zhdukjeve me forcë, si dhe mbështetjes për familjet dhe të afërmit e tyre, të cilët prej dekadash vazhdojnë të presin përgjigje.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj kauze humane dhe universale janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë ditë solidariteti.
Në shenjë mbështetjeje për viktimat e zhdukjeve me forcë dhe familjet e tyre, pjesëmarrësit mund të sjellin, nëse dëshirojnë, një lule.
Ky gjest simbolik do të shprehë kujtimin tonë për ata që ende nuk kanë një vend prehjeje, një varr ku familjarët e tyre të mund të vendosin një lule.
Së bashku, ta mbajmë gjallë kujtesën e tyre dhe të kujtojmë se:
“Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.”
Kontakt për media
Shoqata Kulturore Dora d’Istria
Gjenevë – Zvicër
Mirishahe Limani Hiler,
Lisa Mazzone dhe Edon Duraku
E-mail: [email protected]
Telefoni: +41 79 607 46 74
Sponsor medial i manifestimit është platforma mediale, albinfo.ch
Për çdo kërkesë për intervistë, reportazh ose informacione shtesë lidhur me Marshin për Drejtësi apo mbrëmjen kushtuar Ukshin Hotit, përfaqësuesit e mediave ftohen të kontaktojnë Shoqatën Kulturore Dora d’Istria.
Ky projekt që do të jetë tradicional përkrahet nga Qyteti i Gjenevës, personalitete politike shqiptare e zvicerane si dhe nga shoqata të ndryshme të shoqërisë civile gjenevase dhe aktorë të angazhuar për të drejtat e njeriut.
E-Diaspora
-
Rasti i kosovarit shtyn Aargaun të ndryshojë manualin për dhënien e pasaportës Gjatë intervistës atij i ishin bërë 48 pyetje, ndërsa Gjykata Administrative e Aargaut konstatoi se 23... -
Bebe Rexha arrin një tjetër sukses, “New Religion” kalon 100 milionë dëgjime në Spotify -
Ekstradohet nga Spanja në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë -
Gjermani
Aksidenti tragjik në Gjermani, ambasadori Ajeti: Jemi në kontakt me autoritetet gjermane -
Kolona kilometërshe në kufirin Serbi–Kroaci, mërgimtarët përballen me pritje të gjata
Jeta në Austri
-
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë Organizata Vier Pfoten (Katër putrat) synon të stabilizojë numrin e qenve në planin afatgjatë: përmes kapjes,... -
Kancelari austriak thotë se kujdesi për fëmijët nuk është punë -
Vala e të nxehtit shkakton më shumë konflikte në Vjenë -
Austria do ta bëjë më të lehtë instalimin e kondicionerëve -
Austria regjistron temperaturën më të lartë në histori, termometri arrin 40.8°C
















