Lumi Aare në Bern ka shënuar temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë për muajin qershor, duke reflektuar ndikimin e valës së fortë të të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën ditët e fundit. Sipas matjeve zyrtare në zonën e Marzilibadit, temperatura e ujit arriti në 23.4 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 22.79 gradësh, të vendosur më 30 qershor 2025, transmeton albinfo.ch.
Ky nuk është rekordi i vetëm i thyer këtë vit. Lumi kishte kaluar pragun e 20 gradëve që më 30 maj, më herët se në çdo vit tjetër që nga fillimi i matjeve moderne në vitin 1975.
Temperaturat e larta kanë sjellë mijëra qytetarë drejt brigjeve të Aares për t’u freskuar. Në Bern, veçanërisht në kompleksin e njohur të notit Marzili, hapësirat janë mbushur me vizitorë, ndërsa një pjesë e objektit vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të punimeve ndërtimore.
Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja e lumenjve është një fenomen gjithnjë e më i shpeshtë në Zvicër. Studimet e fundit tregojnë se valët e të nxehtit në lumenjtë alpinë po bëhen më të shpeshta dhe më intensive, gjë që mund të ndikojë në ekosistemet ujore, prodhimin e energjisë dhe cilësinë e ujit.
Meteorologët nuk e përjashtojnë mundësinë që gjatë ditëve në vijim të thyhet edhe rekordi absolut i temperaturës së Aares, i cili është 24.12 gradë Celsius, i regjistruar më 4 gusht 2022. Ndërkohë, alarmi për vapën mbetet në nivele të larta në disa rajone të Zvicrës, pasi temperaturat vazhdojnë të qëndrojnë shumë të larta edhe gjatë natës.