Kosova
Liberalizimi i vizave për Kosovën, sërish në agjendën e Brukselit
Sot takohet grupi punues i BE-së, në rend dite çështja e vizave për Kosovën
Raportohet se sot, grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian do të diskutojë për herë të dytë për liberalizimin e vizave për Kosovën, përcjell albinfo.ch.
Thuhet se diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Që nga diskutimi i fundit në grupin punues të BE-së ka pasur disa konsultime bilaterale mes shteteve anëtare. Disa prej tyre kanë pasur biseda edhe me autoritetet e Kosovës.
Burimet brenda BE-së rikujtojnë se në këtë nivel të grupit punues përafrohen qëndrimet mes vendeve anëtare, por nuk miratohen vendime.
Siç mëson Radio Evropa e Lirë, kundërshtimet më të mëdha mes vendeve anëtare kanë të bëjnë me lidhjen e liberalizimit të vizave për Kosovën me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.
Shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, janë kundër këtij kushtëzimi, duke e cilësuar jo vetëm si të padrejtë, por edhe të panevojshëm, pasi, sipas tyre, Kosova nuk mund të ketë asnjë ndikim në çështjen e funksionalizimit të këtij sistemi.
Çekia, e cila aktualisht udhëheq presidencën e BE-së, ka shpërndarë javën e kaluar një “dokument ndërinstitucional”, ku është përfshirë edhe kërkesa e Francës, e paraqitur në takimin e parë.
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi të liberalizimit, të përmbyllë marrëveshjen për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tillë, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike, të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të ETIAS-it”, është formulimi i ri i tekstit të propozimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Gjithashtu është përforcuar edhe kërkesa ndaj Kosovës për sigurimin e menaxhimit të mirë të migracionit.
Në tekst është shtuar edhe kërkesa që Komisioni Evropian, në monitorimin që do ta bëjë pasi të liberalizohen vizat, të vëzhgojë përshtatjen e Kosovës me regjimin e vizave të BE-së.
“Kosova ka bërë një progres domethënës në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për viza, si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migrimit, përfshirë edhe azilin, rendin publik dhe sigurinë e të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes. Për të siguruar menaxhim të mirë të migracionit dhe sigurisë, Kosova duhet të synojë përshtatjen më tutje të politikës së saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në dokument.
Po ashtu, përmendet edhe çështja e ripranimit të qytetarëve kosovarë që potencialisht mund të keqpërdorin liberalizimin e vizave.
Pas diskutimeve të sotme, ku do të shihet gatishmëria e vendeve anëtare, çështja mund të shkojë për diskutim në nivel tjetër në Këshillin e BE-së, eventualisht në atë të ambasadorëve.
Mësohet se disa shtete do të insistojnë që të mos lidhet fare liberalizimi i vizave për Kosovën me ETIAS-in, dhe nëse do të ketë afate kohore, atëherë të përmendet së paku ndonjë datë formale kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave.
Burimet në BE pohojnë se, edhe kur të kalojë vendimi në Këshill, Parlamenti Evropian mund të kërkojë përsëri që teksti të ndryshohet, ose të mos lidhet me sistemin ETIAS, ose të përmendet ndonjë datë e hyrjes në fuqi.
“Gjithsesi, pa një afat kohor transitor prej vendimit e deri te hyrja në fuqi nuk do të mund të ketë vendim. Por, po bëjmë çmos që ai afat kohor të mos jetë i gjatë për kosovarët dhe të mos lidhet me çështje teknike, siç është ETIAS-i”, ka thënë për REL-in një burim diplomatik i BE-së.
Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.
Nga Republika Çeke, e cila mban Presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.
E-Diaspora
-
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës KQZ: Procesi i regjistrimit për votuesit në diasporë vazhdon deri më 17 maj 2026, me mijëra... -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut -
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten













