Shkrimtarja dhe filozofja shqiptare Lea Ypi ishte e ftuar në qytetin e Triestes, ku në organizim të shtëpisë botuese “Feltrinelli” u mbajt një bashkëbisedim dhe promovim i dy librave të saj të përkthyer në gjuhën italiane, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja u zhvillua në librarinë Lovat dhe mblodhi një numër të madh të pranishmish, me sallën që ishte e mbushur plot nga publiku vendas dhe dashamirës të letërsisë.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës “ARBËRIA” në Trieste, gazetari dhe mbështetësi i shoqatës Antonio Caiazza, si dhe shumë anëtarë të komunitetit shqiptar në Itali.
Gjatë promovimit, Lea Ypi prezantoi romanin kushtuar gjyshes së saj, një rrëfim që ndërthur historinë personale me zhvillimet e mëdha historike të Ballkanit — nga rënia e Perandorisë Osmane, ngritja e komunizmit, deri te eksodi dhe ndryshimet dramatike shoqërore në rajon.
Historia e gjyshes së autores, e lindur në Selanik në një familje shqiptare dhe e përjetuar si “e huaj” në vende të ndryshme, u cilësua si një metaforë e historisë së ndërlikuar ballkanike dhe identiteteve të saj.
Përmes një rrëfimi emocional dhe filozofik, Lea Ypi solli para publikut një histori për dinjitetin, humbjen dhe lirinë e brendshme, duke prekur thellë të pranishmit në sallë.
Organizatorët falënderuan librarinë Lovat për mikpritjen dhe organizimin e këtij aktiviteti kulturor që ngjalli interesim të madh në qytetin italian./Albinfo.ch