Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në vend, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Kurti tha se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje “është brenda kutive të votimit” dhe se mbrojtja e tij është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor, transmeton albinfo.ch.
Ai u është drejtuar komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhorë, duke theksuar përgjegjësinë e tyre në fazën e numërimit të votave.
“Sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi ju peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike,” u shpreh Kurti.
Në fund të reagimit të tij, ai i ka falënderuar të gjithë të angazhuarit në procesin zgjedhor dhe u ka uruar punë të mbarë në numërimin e çdo vote.
Procesi i numërimit të votave pritet të përcaktojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe përbërjen e institucioneve të ardhshme në vend.