Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Shkup në ceremoninë e organizuar me rastin e 116-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut.
Në fjalimin e tij, Kurti ka vënë në pah prejardhjen shqiptare të Nënë Terezës, rrugëtimin e saj jetësor dhe veprën humanitare që e bëri të njohur në mbarë botën, shkruan albinfo.ch.
“Në ditëlindjen e 116-të, sot kujtuam Gonxhe Bojaxhiun, shqiptaren e Shkupit, Nënë Terezën e botës mbarë”, ka thënë Kurti.
Ai ka kujtuar se Nënë Tereza lindi në Shkup, ndërsa rrënjët e saj familjare lidhen me Prizrenin dhe Gjakovën. Kurti përmendi gjithashtu Letnicën, ku ajo ndjeu thirrjen e saj shpirtërore, Irlandën, ku nisi përgatitjen misionare, dhe Indinë, ku ia kushtoi jetën shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.
Duke folur për Çmimin Nobel për Paqe, të cilin Nënë Tereza e mori në vitin 1979, Kurti tha se për të paqja fillonte nga njeriu, kujdesi ndaj tjetrit dhe respektimi i dinjitetit të secilit.
Sipas tij, Nënë Tereza nuk u bë figurë universale vetëm për shkak të Nobelit apo njohjes ndërkombëtare, por para së gjithash për shkak të afërsisë së saj me njerëzit në nevojë.
“Bota shihte miliona; ajo shihte një njeri. Bota fliste për varfërinë; ajo i afrohej të varfrit”, tha Kurti, duke theksuar se vepra e saj kapërceu kufijtë e racës, fesë, kombësisë dhe vendit.
Kurti theksoi se universaliteti i Nënë Terezës nuk nënkuptonte mohim të prejardhjes së saj, por zgjerim të saj përtej kufijve kombëtarë.
Në përmbyllje, ai tha se trashëgimia e Nënë Terezës nuk qëndron vetëm në monumente, libra apo në kujtesën për të, por edhe në mënyrën se si shoqëria i trajton njerëzit që kanë më së shumti nevojë për kujdes dhe dinjitet.
