Kosova

Kurti kërkon statusin kandidat të Kosovës në BE: Aplikimi i vitit 2022 të procedohet pa vonesa

Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju-Jork, Kurti tha se Kosova ka shënuar përparim në reforma dhe është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosova të marrë pa vonesa të mëtejshme statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton albinfo.ch.

Në një postim në Facebook, pas pjesëmarrjes në një drekë të organizuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju-Jork, Kurti ka kërkuar që të procedohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.

Kurti ka argumentuar se Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe se ka shënuar përparim në reforma. Sipas tij, dhënia e statusit kandidat do të përbënte edhe një nxitje për vazhdimin e reformave dhe zhvillimit në vend.

Ai ka kritikuar gjithashtu rolin e Serbisë në procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se Kosova nuk duhet të mbetet e lidhur me qëndrimet e shtetit fqinj.

Në deklaratën e tij, Kurti ka përmendur edhe çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, si dhe gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke akuzuar Serbinë për mungesë bashkëpunimi në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për shkelje të të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon.

Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022. Vendimi për statusin kandidat kërkon procedura dhe vlerësime brenda institucioneve të BE-së./Albinfo.ch