Lajme

Kryeqyteti evropian që po investon 2 miliardë euro për korsi biçikletash

Qeveria franceze njoftoi një plan prej 2 miliardë eurosh, për të zgjeruar infrastrukturën e çiklizmit, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të nxitur njerëzit, të mos përdorin makinat e tyre.

Paratë do të shpërndahen deri në vitin 2027, me qëllimin e dyfishimit të korsive të biçikletave në vend.

Qeveria e sheh përpjekjen për të rritur përdorimin e biçikletave, si pjesë të përpjekjes së saj më të gjerë për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Sot, gjysma e udhëtimeve tona me makinë janë më pak se 5 km”, tha ministri i Transportit Clement Beaune në një postim në Twitter.

“Ky është një potencial i jashtëzakonshëm për biçikletat. Me Planin Velo, ne po mobilizojmë 2 miliardë euro, për të përshpejtuar vendosjen dhe përdorimin e biçikletave kudo në Francë.

“Përpjekja e shtetit për biçikleta është e paprecedentë dhe masive”, shtoi ai.

Aktualisht, Franca ka 50,000 km korsi biçikletash. Qeveria dëshiron ta rrisë atë në 80,000 deri në vitin 2027 dhe 100,000 deri në vitin 2030.

Gjatë pandemisë, qytete si Parisi, zgjeruan masivisht korsitë e biçikletave, për të dekurajuar përdorimin e makinave në qendër të qytetit. Parisi ka qenë një nga qytetet më të ndotura në botë.

Në vazhdën e këtyre programeve, qeveria franceze do të përqendrojë pjesën më të madhe të shpenzimeve të reja në qytetet e mëdha në territoret jashtë Parisit, si dhe zonat rurale.

Megjithatë, Plan Velo shtrihet përtej ndërtimit të korsive të biçikletave.

Plani i ri i biçikletave, përfshin gjithashtu 500 milionë euro si subvencione, për të ndihmuar më shumë njerëz të blejnë dhe të mirëmbajnë biçikleta.

Paratë do të ndahen gjithashtu, për të krijuar më shumë zona për parkimin e biçikletave, si dhe për trajnimin e 850,000 fëmijë të shkollave të vogla, për të mësuar të ngasin biçikletën.

Qeveria po shqyrton gjithashtu përditësime të rregullave të trafikut dhe modeleve për të nxitur çiklizmin.

Për shembull, sipas Planit Velo, qeveria mund të vendosë mbështetëse këmbësh në anë të rrugës, në mënyrë që çiklistët, të mos kenë nevojë të zbresin kur ndalen në semafor.

Ata gjithashtu mund të ndryshojnë kohën e dritave jeshile të semaforit për çiklistët, për t’i lejuar ata të fillojnë të ngasin përpara se makinat të fillojnë të lëvizin.

Punonjësit e qeverisë mund të marrin gjithashtu stimuj financiarë, për të ngarë biçikletat për në punë.

Do të ketë gjithashtu mbështetje financiare, për të ndihmuar kompanitë franceze të ndërtojnë dhe shesin më shumë se 1.4 milionë biçikleta në vit, gjatë katër viteve të ardhshme. Qeveria po planifikon reforma, që e bëjnë më të lehtë për prodhuesit francezë, të reduktojnë nevojën për të importuar pjesë të biçikletave, në mënyrë që të prodhohen më shumë biçikleta në Francë.

Për më tepër, qeveria dëshiron të inkurajojë më shumë turizmin e çiklizmit, për të cilin pati interes të shtuar gjatë pandemisë, pasi udhëtarët kërkuan përvoja në natyrë, që ofronin një ritëm më të ngadaltë.

Organizatat e çiklizmit duartrokitën planin gjithëpërfshirës.

“Kjo nismë vizionare, jo vetëm që do të transformojë mënyrën se si qytetarët tanë udhëtojnë dhe jetojnë, por gjithashtu do ta bëjë Francën lider global në promovimin e infrastrukturës dhe kulturës së çiklizmit,” tha Olivier Schneider, president i Federatës Franceze të Përdoruesve të Biçikletave (Fédération française des usagers de la bicyclette, FUB).

Por zyrtarët e FUB thanë gjithashtu se plani ishte vetëm një fillim. Franca do të duhet të jetë edhe më agresive në rritjen e përdorimit të biçikletave, nëse dëshiron të përmbushë objektivat e saj për ndryshimet klimatike.

“Receta e Planit Vélo për sukses, do të bazohet në 3 shtylla: investimi, lehtësimi, edukimi,” tha FUB.

“Qeverisë do t’i duhet të përveshë mëngët për veprim, për të përballuar sfidat klimatike, shëndetësore dhe shoqërore. / Forbes