Kosova

Pjesëmarrja e industrisë kosovare të drurit në Swissbau, një rrëfim suksesi i ekonomisë së Kosovës

Mbi 25 kompani po marrin pjesë në panairin e ndërtimit Swiss Bau 2024, me mbështetje të KIESA-s dhe USAID-it

Panairi më i madh i ndërtimit në Zvicër dhe njëri ndër më të mëdhenjtë në Evropë, Swissbau, që po mbahet në Bazel, ka pasur sot një vizitë të një lloji tjetër. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Rozeta Hajdari, kanë qëndruar në “Shtëpinë e Kosovës” (House of Kosova), një shtëpi e madhe druri, të ngritur në hapësirat e panairit. Bëhet fjalë për objektin mbase më impozant në hapësirën shumë të madhe të njërit nga holet e panairit të njohur të Bazelit.

Kosova është bërë për herë të parë “me shtëpi” në këtë panair, duke pasqyruar kështu zhvillimin e madh që po përjeton një degë e industrisë në Kosovë, dega e përpunimit të drurit. Platforma albinfo.ch është partner medial i projektit të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë panair.

Këtu kryeministri Kurti ka zhvilluar një bashkëbisedim me ish-ministren e Jashtme të Lihtenshtajnit, Aurelia Frick, aktualisht e angazhuar në biznes dhe me afaristë shqiptarë të Zvicrës. Këtu Kurti ka shpalosur zhvillimet aktuale ekonomike në Kosovë, duke u fokusuar sidomos në “boom”-in që po përjeton industria e përpunimit të drurit. Ai ka folur edhe për resurset që ka Kosova për zhvillimin e gjithmbarshëm të ekonomisë.

“Çdo gjë tregon se do të bëhemi një vendi i orientuar nga eksporti, nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet, me ç`rast tre vitet e fundit gjithsejtë, vlera e eksporteve të Kosovës, ka arritur në 2.5 miliardë euro. Ndërkaq kjo rritje është më shumë se dyfishi, krahasuar me gjashtë vitet e më parëshme”, është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se Kosova ofron shumë prodhime cilësore dhe në këtë kontekst, industria e përpunimit të drurit përfaqëson një gurthemel të strukturës ekonomike të Kosovës.

Kurti më tutje ka përmendur sistemin e arsimit dual që ndërlidhet me punë dhe praktikë, sistem ky që si model ka marrë Zvicrën, ku aoi funksionon me sukses të plotë. Kurti ka ftuar investitorët zviceranë të sjellin kapitalin në Kosovë.

Në vazhdim në Kongresszentrum, godinën që është në kuadrin e hapësisës së panaireve në Bazel, është mbajtur edhe forumi mbi promovimin e eksporteve, organizuar nga platforma mediale albinfo.ch dhe mbështetur nga USAID Kosovo Compete Activity. Në këtë forum ka folur kryeministri Kurti, ministrja Hajdari, shefi i kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, përfaqësuesi i USAID Kosovo Compete Activity, Skender Rama, kryetari i Prefab Cluster Kosova, Nazmi Mehmetaj, Zenel Kelmendi, kryetar i Shoqatës së përpunuesve të drurit të Kosovës dhe Sevdail Tahiri, drejtor i platformës mediale Online&Print, albinfo.ch.

Foto:Fiona Murtaj/albinfo.ch
Foto:Fiona Murtaj/albinfo.ch
Foto:Fiona Murtaj/albinfo.ch
Foto:Fiona Murtaj/albinfo.ch
Foto:Fiona Murtaj/albinfo.ch

Pas përfundimit të punimeve të forumit, pjesëmarrësit, një numër i të cilëve vinin nga Kosova, si pronarë dhe përfaqësuses të firmave që ekspozojnë në Swissbau, kanë zhvilluar takime e bisedime mes tyre B2B, me mundësi lidhjen e kontakteve dhe bashkëpunimit mes bizneseve të tyre.

Foto:Fiona Murtaj/albinfo.ch

Mbi 25 kompani po marrin pjesë në panairin e ndërtimit Swiss Bau 2024. Prej tyre, pjesëmarrja e 12 kompanive nga industria e drurit bëhet me mbështetje të KIESA-s ndërsa kompanitë e kllasterit të cilat e kanë ndërtuar edhe shtëpinë e Kosovës (Greenhouse) nga druri për këtë panair po marrin pjesë me mbështetje të USAID-it.

Një nga shtyllat e organizimit ishte Kllasteri PREFAB Kosova, i cili merret me industrinë e ndërtimeve të parafabrikuara. Ai është themeluar në tetor të vitit 2023 dhe ka për qëllim përfaqësimin e zërit të përbashket të industrisë dhe avokimin për politika që mbështesin rritjen dhe konkurrueshmërinë e sektorit të ndërtimeve të parafabrikuara. Aktualisht Kllasteri anëtarëson mbi 20 kompani.

Nga ana tjetër Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK), ka siguruar hapësirën ekspozuese në panairin “Swissbau 2024” për dymbëdhjetë kompanitë nga Kosova që merren me përpunimin e drurit.

Ndërsa PPSE po mbështetë pjesëmarrjen e kompanive Kosovare në panairin SwissBAU me qëllim të promovimit të eksportit dhe krijimit të vendeve të teja të punës në Kosovë. PPSE është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC) dhe implementohet nga #Swisscontact dhe Instituti Riinvest

Panairi “Swissbau 2024” që është hapur më 16 janar do të qëndrojë hapur deri të premten, më 19 janar. Kosova është e pranishme në Hall 1.1, Booth no.A60, B60 dhe A90, Basel, Zvicër.

Me shume fotografi: