Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë deklarohet për çështjen e SHISH

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sot për zhvillimet e fundit pas arrestimit të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni duke e cilësuar situatën si një çështje që kërkon adresim të menjëhershëm.

Vendosa që të drejtohem në këtë konferencë, sepse zhvillimet e fundit të arrestit të ish-drejtueses së SHISH do duhet të kishin një shpjegim. Ishte një masë ekstreme, por nuk kam të drejtë të vlerësoj se pse Prokuroria ka kërkuar arrestin. Nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj, që të ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund.

Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje.  Konkretisht në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale ka dhe një parim shtetëror që nuk mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.

Një institucion i veçantë u ekspozua, ndaj një potenciali të madh, që mund dhe duhej të ndalohej.  Kur puna sjell që hetimi të zgjidhet deri te kreu, nuk është problemi i një shteti të pavarur, por i krejt shtetit.  I ka lënë pa fjalë partnerët tanë”, ka deklaruar ai pas kthimit nga New York-u, transmeton albinfo.ch.

Ai  ka theksuar se hetimi dhe gjykimi i saj i takojnë ekskluzivisht drejtësisë.

“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit është detyrë ekskluzive e drejtësisë, kjo nuk ka diskutim. Mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral të mundshëm është detyrë e gjithë shtetit dhe kjo s’duhet të hapë asnjë diskutim. Ndarja e pushteteve s’mund të shihet si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Këshilli i Sigurisë, thirrur njëherësh nga Presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, kur drejtuesit apo punonjësit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal.

Kur doli masa e arrestit, kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit. Vlerësimi për punën e saj ka qenë i qartë. E vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë prej meje si këshilltare, pas një periudhe të shkurtër në atë rol dhe, bazuar në referencat e partnerëve, është emëruar drejtuese e SHISH”, u shpreh Rama.