Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë do të organizojë një mbrëmje të veçantë kulturore dhe muzikore me titull “Kultura Muzikore e Kosovës – Tradita dhe Zhvillimi”.
Ngjarja do të mbahet më 12 qershor 2026, në ora 20:00, në Yehudi Menuhin Forum në Bernë, ndërsa dyert do të hapen për publikun nga ora 19:30.
Përmes këtij koncerti, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një udhëtim artistik që ndërthur vlerat e trashëgimisë muzikore shqiptare me zhvillimet bashkëkohore të muzikës kosovare. Aktiviteti synon të promovojë kulturën dhe identitetin e Kosovës para publikut ndërkombëtar, duke ofruar një program të pasur artistik.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje është pa pagesë, mirëpo rezervimi i biletës është i detyrueshëm për shkak të numrit të kufizuar të vendeve.
Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që të sigurojnë me kohë pjesëmarrjen e tyre në këtë mbrëmje kulturore, e cila pritet të mbledhë dashamirës të muzikës dhe kulturës në zemër të Zvicrës.
