Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, përcjell albinfo.ch.
Përmes një letre drejtuar emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, Bajrami ka theksuar se çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të rënda të luftës dhe se familjet e viktimave vazhdojnë të presin drejtësi dhe të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.
Në letër kërkohet që Bashkimi Evropian të sigurojë zbatimin e obligimeve të marra nga Serbia në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur, duke përfshirë bashkëpunimin e plotë me institucionet përgjegjëse, qasjen në arkivat përkatëse dhe ofrimin e të gjitha informacioneve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Bajrami ka theksuar se përparimi në këtë çështje është i domosdoshëm jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për ndërtimin e besimit dhe avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kërkesa e tij vjen në një kohë kur institucionet e Kosovës po vazhdojnë hetimet dhe gërmimet në disa lokacione në veri të vendit, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës.