10 arsyet për të vizituar tokat shqiptare

Kosova e bukur

Ujëvara e Mirushës, Shpella e Gadimes, Bifurkacioni i Nerodimes dhe Burimi i Drinit janë disa nga bukuritë natyrore në Kosovë që ia vlen të vizitohen

Kosova është e pasur me shumë bukuri natyrore. Nisur nga ujëvarat e deri te shpellat, malet e larta… janë arsye në vete për ta vizituar Kosovën dhe për t’i parë e për t’i përjetuar nga këto bukuri nga afër. Albinfo.ch ju sjell disa nga bukuritë natyrore në Kosovë.

Bifurkacioni i Nerodimes: Bifurkacioni (Bigëzimi) i lumit të Nerodimes është fenomen natyror i ndarjes së lumit në dy degë dhe derdhjes në ujëmbledhës të ndryshëm detarë.  Bifurkacioni i lumit Nerodime paraqet një shembull të vetëm në Evropë të derdhjes së një lumi në dy dete. Lumi i Nerodimes buron në Bjeshkët e Jezercit. Në afërsi të Ferizajt ai ndahet pakthyeshëm në dy degë, të cilat kanë derdhje në dy dete të ndryshme. Dega veriore (dega e majtë) derdhet në lumin Sitnicë dhe vazhdon rrugëtimin në lumin Ibër, Moravë dhe përmes Danubit derdhet në Detin e Zi, ndërsa dega jugore (dega e djathtë) përmes lumit Lepenc dhe Vardarit derdhet në Detin Egje.

Ujëvara e Mirushës: Ndodhet në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës. Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Në këtë park, lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo-hidrologjik.

Shpella e Gadimes: Gjendet në fshatin Gadime të Lipjanit dhe është e gjatë 1500 metra. Mirëpo, për turistët është i mundshëm shikimi i 1300 metrave të para të shpellës, pasi që për pjesën tjetër ende nuk janë të mundshme kalimet. Në shpellë është kati i mesëm që është për vizitorë, kati nënujor dhe kati i sipërm. Gjatë verës temperatura në brendi të shpellës është konstante 13 gradë Celsius dhe gjatë dimrit 11-13 gradë. Shpella mendohet të jetë e vjetër rreth 80 mijë vjet.

Burimi i Drinit: Drini buron rrëzë malit të Rusolisë nga gurra e shpellës së Radavcit, në 586 metra lartësi mbidetare, ku krijon edhe një ujëvarë të bukur, para se të zbresë në rrafsh. Pastaj ai bashkohet afër qytetit të Kukësit me Drinin e Zi për të formuar Drinin që në antikë njihet më emrin Drillon. Sasia e burimit arrin 30 m3 në sekondë, ku krijon edhe një ujëvarë të lartë prej 30 metrash. Me një madhësi prej 4,646 km², baseni i Drinit është më i madhi nga katër basenet ujëmbledhëse të Kosovës.

Malet e Sharrit: Është zona kryesore për vlera botanike, faunistike, ekologjike, turistike, rekreative, sportive, edukative dhe kulturore të Kosovës. Malet e Sharrit kanë diversitet biologjik mjaft të theksuar. Flora dhe vegjetacioni është i pasur me lloje. Në mesin e këtyre llojeve 86 sosh, janë të deklaruara me rëndësi ndërkombëtare. Një pjesë e Maleve të Sharrit është shpallur Park Kombëtar në vitin 1986. Zona e mbrojtur me ligj ka sipërfaqe prej 39 000 hektarësh dhe shtrihet në kufijtë e katër komunave: Prizren, Shtërpcë, Therandë dhe Kaçanik.

Bjeshkët e Nemuna: Gjithashtu të njohura si Alpet Shqiptare, Bjeshkët e Nemuna janë vazhdimësi e Maleve Dinarite. Ato shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi. Bjeshkët e Nemuna shtrihen deri te lugina e Ibrit rreth 50 km në gjatësi. Në anën e Kosovës ngrihen nga fundi i fushës (500-600 m) dhe arrijnë lartësinë mbi 2000 metra. Në disa vende prehen nga lugina të thella lumore, të lumit të Pejës, Deçanit, Erenikut dhe kanë si kufi jugor Drinin. Ky grup malor përbëhet prej disa malesh: Gjeravica (mali më i lartë në Kosovë 2656 metra), Mali i Junikut, Strellci, Lumbardhit, Kopranikut, Hajlës, Zhlebit, Rusolinës, Moknës etj.

(B.R.)

 

Autor i fotografive: Arben Llapashtica

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI