Përfaqësimi diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës në Gjermani shënon një zhvillim të ri. Konsullata e Kosovës në Shtutgart është ngritur në nivelin e Konsullatës së Përgjithshme, një ndryshim me rëndësi edhe për komunitetin e madh shqiptar në Baden-Württemberg.
Me dekret të ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është ngritur niveli i përfaqësimit të misionit konsullor të Kosovës në Shtutgart, përcjell albinfo.ch.
Nga Konsullatë e Republikës së Kosovës në Shtutgart, përfaqësia tashmë merr statusin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm institucional për përfaqësimin e Kosovës në Baden-Württemberg, një nga landet gjermane ku jeton dhe vepron një numër i madh i qytetarëve me prejardhje nga Kosova.
Në njoftimin e publikuar me këtë rast thuhet se ngritja e statusit përbën edhe vlerësim për punën, përkushtimin dhe rezultatet e arritura gjatë viteve të fundit.
“Përmes angazhimit profesional, bashkëpunimit të ngushtë dhe përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Kosovës, kemi arritur të forcojmë pozitën dhe rolin e misionit tonë konsullor në Baden-Württemberg dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Statusi i ri, sipas përfaqësisë konsullore, sjell njëkohësisht përgjegjësi më të mëdha për vazhdimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përfaqësimin e interesave të Republikës së Kosovës në Gjermani.
Ngritja në Konsullatë të Përgjithshme pritet të forcojë më tej praninë institucionale të Kosovës në Baden-Württemberg dhe lidhjen me komunitetin kosovar që jeton në këtë land gjerman.
Sieh dir diesen Beitrag auf Instagram an