Kosova

Detet me ujin më të ftohtë në planet

Referuar rekordeve botërore Guinness, temperatura më e ftohtë e regjistruar ndonjëherë në ujin e detit ka arritur deri në -2,6ºC. Ajo u regjistrua në maj 2010, nën një akullnajë në Antarktidë. Por, si u krijua uji i lëngshëm nën 0ºC shtrohet pyetja, përcjell albinfo.ch.

Rekordi Botëror Guinness shpjegon se: “Uji ultra i ftohtë si ky formohet kur rritet akulli i detit. Uji i përdorur për të formuar akullin nuk mund të përmbajë kripë në matricën e tij dhe për këtë arsye uji i kripur zhytet gjithnjë e më shumë poshtë akullit në formim. Ndërsa grumbullohet në fund të gropave në shtratin e detit, uji i kripur bëhet gjithnjë e më i ftohtë, pasi kripa e pengon atë të shndërrohet në akull”.

Duke qenë se ujërat në Antarktidë hyjnë në kategorinë e oqeanit, deti më i ftohtë në planet është Deti i Bardhë, i vendosur në veriperëndim të Rusisë, në një zonë shumë afër Finlandës. Sipas portalit Sea Temperature, ky det arrin temperaturat minimale prej -1,2ºC dhe regjistron një mesatare prej 0,3ºC. Temperaturat maksimale të tij mezi i kalojnë 2,5ºC dhe i njëjti portal e përkufizon sipërfaqen e tij si “të papërshtatshme për not”. Detet e tjera që lagin Siberinë, si Barents, Kara, Láptev ose Deti Siberian Lindor, regjistrojnë temperatura minimale midis 0,3ºC dhe -0,4ºC. Në Evropë, një nga detet më të ftohtë është Baltiku, i cili lag brigjet e Finlandës, Suedisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Rusisë, Polonisë, Gjermanisë dhe Danimarkës. Sipas portalit të sipërpërmendur, ai arrin temperatura minimale 0,3ºC, maksimale 5ºC dhe mesatare 3,1ºC.