Lajme

Parlamenti zviceran miraton kompromisin për tatimin individual, hiqet “dënimi i martesës”

Ky model synon të promovojë drejtësinë fiskale ndërmjet çifteve të martuara dhe atyre në bashkëjetesë

Këshilli Kombëtar i Zvicrës ka vendosur të miratojë një kompromis për reformën tatimore, që parashikon tatimin individual dhe heq “dënimin e martesës”.

Çfarë ndryshon?
Në të ardhmen, të gjithë tatimpaguesit do të tatohen pavarësisht nga statusi martesor. Ky model synon të promovojë drejtësinë fiskale ndërmjet çifteve të martuara dhe atyre në bashkëjetesë (transmeton albinfo.ch).

Sipas propozimit të mbështetur nga Komisioni për Çështje Ekonomike dhe Monetare, humbjet vjetore për buxhetin pritet të jenë rreth 600 milionë franga zvicerane  më të ulëta se versioni fillestar i propozuar nga Këshilli Federal (870 milionë franga).

Një pakicë, e udhëhequr nga Leo Müller (Centra/LU), preferonte variantin e Këshillit Federal, por u mposht me 101 vota kundër 95. Beat Walti (FDP/ZH) e mbështeti tatimin individual, duke theksuar se krijon stimuj për punësim dhe nxit përfshirjen në tregun e punës. Franziska Ryser (Të Gjelbrit/SG) shtoi se diferenca midis fituesve dhe humbësve është e kufizuar  “është vetëm një kartëmonedhë 50-frankëshe.” Presidentja Federale, Karin Keller-Sutter, pranoi se ndryshimi sjell përfitues dhe humbës, por “një reformë e tillë nuk vjen pa kosto.”

Céline Widmer (SP/ZH) kujtoi se Gjykata Federale kishte shpallur “dënimin e martesës” antikushtetues që në vitin 1984. Tatimi individual shihet si një hap drejt barazisë së mundësive. SVP-ja dhe Partia e Qendrës e kundërshtojnë reformën, duke argumentuar se ajo mund të dëmtojë familjet me role tradicionale gjinore dhe theksojnë kostot e larta të rindërtimit të sistemit tatimor.

Refuzimi i transferimit të zbritjeve për fëmijët
Këshilli Kombëtar, me 130 vota pro dhe 66 kundër, refuzoi mundësinë që zbritjet për fëmijët të transferohen nga një prind tek tjetri, duke ruajtur kështu barazinë për çiftet me të ardhura të pabarabarta ose me një të ardhur të vetme. SVP-ja kërkoi ndjekjen e qëndrimit të Këshillit të Shteteve, i cili e kishte përfshirë këtë mundësi në projekt, por pa sukses.

Këshilli i Shteteve do të vendosë për këtë çështje gjatë sesionit veror në qershor.