Një kangur që shkaktoi mjaft kureshtje në kantonin Aargau është kapur të premten pasdite, pasi për disa ditë kishte bredhur i lirë në zonën e Dietwil, përcjell albinfo.ch.
Kafsha u vu re fillimisht nga fëmijët e një kampi veror, të cilët në fillim menduan se kishin parë një lepur gjigant. Më pas u konfirmua se bëhej fjalë për një kangur.
Autoritetet u përpoqën ta afronin kafshën, madje edhe me tranguj, por ajo u largua duke kërcyer. Policia dhe rojtarët e faunës kontaktuan strehimore dhe qendra për kafshë në rajon për të gjetur pronarin, por askush nuk raportoi humbjen e një kanguri.
Të premten pasdite, kafsha u kap me sukses, duke i dhënë fund aventurës së saj në natyrë. Megjithatë, origjina e kangurit dhe identiteti i pronarit të tij mbeten ende të panjohura, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet./Albinfo.ch