Lajme
Kancelari austriak, Karl Nehammer, udhëheqësi i parë i një vendi të BE-së që takohet me Putinin
Raportohet se kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, do të udhëtojë sot në Moskë për të biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, përcjell albinfo.ch.
Vlen të theksohet se ai është udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takohet personalisht me Putinin, që kur ky i fundit ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Zyrtarët austriakë thanë se Nehammer dëshiron të promovojë dialogun midis Moskës dhe Kievit dhe se do të ngrejë gjithashtu çështjen e krimeve të luftës.
Nehammer u takua edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën.
“Ai shkon atje [në Moskë], pasi ka informuar Berlinin, Brukselin dhe presidentin ukrainas, për të inkurajuar dialogun”, tha një zëdhënës i Nehammerit.
Takimi vjen në kohën kur lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të këtij vendi.
Zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i forcave të tyre do të jetë “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar kështu rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck.
Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, i tha televizionit kombëtar se “Ukraina është gati për beteja të mëdha” kundër Rusisë.
Ai tha se Ukraina duhet të mposhtë Rusinë në Donbas – ku Moska kontrollon tashmë dy territore separatiste – përpara se të zhvillohet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ukraina është gati për beteja të mëdha. Ukraina duhet t’i fitojë ato, përfshirë Donbasin. Dhe, sapo të ndodhë kjo, Ukraina do të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues”, tha Podolyak.
“Pas kësaj, presidentët do të takohen. Mund të duhen dy javë, tri”, shtoi ai.
Mijëra njerëz janë vrarë tashmë nga lufta në Ukrainë, ndërsa mbi 11 milionë janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre.
Perëndimi ka vendosur sanksione të papara ekonomike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar ushtarakisht.
“Na duhen edhe më shumë sanksione. Na duhen edhe më shumë armë për shtetin tonë”, tha Zelensky në një video-adresim, të publikuar në mediat sociale.
Ai po ashtu porositi qytetarët që të përgatiten për “operacione edhe më të mëdha” të Rusisë në lindje të Ukrainës.
“Ata mund të përdorin edhe më shumë raketa kundër nesh, edhe më shumë bomba ajrore. Por, ne po përgatitemi për veprimet e tyre. Ne do të përgjigjemi”, tha Zelensky.
Ai i hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se vdekjet e civilëve në Ukrainë janë rezultat i sulmeve ushtarake të vetë Ukrainës.
“Për vrasjet në Buça thonë se nuk janë përgjegjës, por gjoja jemi ne. A e dini pse ndodh kështu? Sepse ata janë frikacakë”, tha Zelensky.
Javën e kaluar në Buça – qytezë në afërsi të Kievit – dhjetëra civilë janë gjetur në varreza masive, apo të vrarë në rrugë, me duar të lidhura, pasi trupat ruse janë tërhequr nga rajoni.
Zelensky ka thënë se vrasjet në Buça duhet të njihen si gjenocid. Perëndimi i ka dënuar fuqishëm ato, ndërsa Rusia i ka mohuar, duke thënë se pretendimet e Ukrainës duhet të shihen me dyshime.
E-Diaspora
-
Nis shpërndarja e librave shqip në 15 shtete të diasporës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka nisur shpërndarja falas e teksteve të gjuhës... -
Nga Zvicra me vepra për vendlindjen: Arben Lahu vazhdon aksionin vullnetar në Gollak -
Program falas në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Cyrih -
Donacion për spitalet në Maqedoninë e Veriut, nga mërgata shqiptare e Cyrihut -
Dua Lipa përzgjedh librin “Free” të Lea Ypit për klubin e saj të leximit
Jeta në Austri
-
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas Qeveria austriake i ka dërguar parlamentit një rregullore të re mbi ndihmat familjare për personat e... -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena














