Ka ndërruar jetë burri më i vjetër në Evropë: italiani Vitantonio Lovallo vdiq sot në moshën 112-vjeçare.
Ish-bujku jetonte në qytetin e Aviglianos, në rajonin e Bazilikatës në Italinë jugore. Ai kishte lindur në mars të vitit 1914 — para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, transmeton albinfo.ch. Edhe në moshë shumë të thyer, “Ziton” — siç e thërrisnin — kujdesej vetë për vreshtin e tij dhe vazhdonte të kulloste delet.
“Sot, Avigliano humbi një pjesë të historisë së tij,” shkroi në Facebook kryetari i bashkisë, Giuseppe Mecca. “Ziton ishte një nga ne.”
Lovallo ishte i martuar; bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Çifti kishte katër fëmijë.
Gruaja britanike është personi më i vjetër në botë
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Lovallo shërbeu fillimisht në front. Sipas raportimeve të mediave italiane, ai u mbajt si rob lufte nga gjermanët midis viteve 1943 dhe 1945. Lovallo vazhdoi të punonte në vreshtin e tij edhe pasi mbushi 100 vjeç.
Sipas të dhënave nga Grupi Kërkimor i Gerontologjisë (Gerontology Research Group), burri më i vjetër në Evropë tani është portugezi Joaquim Varela, 111 vjeç. Megjithatë, ai renditet vetëm i 32-ti në listën e njerëzve më të vjetër në Evropë — pas 31 grave. Sipas kësaj liste, personi më i vjetër në Evropë — dhe në të gjithë botën — është britanikja Ethel Caterham, 117 vjeçe.