Lajme

“Invazion” i kulturës shqiptare në Zvicër

Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit, publiku kulturor shqiptar në Zvicër po “invadohet” nga një ofertë e papritur, e dendur dhe cilësore, kulturore

Pandemia tashmë ka shkelur thellë në vitin e dytë të sundimit mbi jetët tona. Nëse e përjashtojmë rrezikun e drejtpërdrejtë që korona paraqet për jetën e njeriut, dëmin më të madh ajo ja ka shkaktuar kulturës. Prandaj kudo në botë janë zhvilluar fushata mediale si “No Culture No Future” etj. për të stimuluar kulturën edhe në këto kohë të zymta, kur ajo, për shkak të emergjencave, është shtyrë në fundin e prioriteteve.

Në një sfond të tillë global të pësimit të kulturës, mund të merret me mend se çfarë “prioriteti” mund të gëzonte kultura ndër shqiptarët, prandaj edhe ndër ata të diasporës. Edhe ato pak aktivitete, të mira a të këqija që organizoheshin, u desh të pushonin për shkak të masave të pandemisë. Kjo bëri që për më shumë se një vit e gjysmë të harronim pothuaj ritualin e pjesëmarrjes në një aktivitet kulturor.

Por, duket se kjo tani, të paktën përkohësisht, do t`i takojë të kaluarës dhe se ditë të bukura po vijnë për kulturën shqiptare në Zvicër. Madje, siç do ta shihni në tekstin në vazhdim, “shumë të bukura”.

Ja përse është fjala: Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit, kur masat e pandemisë, ndonëse të zbutura, vazhdojnë të jenë në fuqi, publiku kulturor shqiptar në Zvicër po “invadohet” nga një ofertë e papritur, e dendur dhe cilësore, kulturore.

Kështu, nga 22 deri më 26 shtator në Bernë është zhvilluar Festivali i Filmit “KinoKosova”, një prezantim filmash të rinj, prodhime kosovare dhe të diasporës për Kosovën. Njëkohësisht me të, më 24 shtator në Cyrih u mbajt, pas një kohe relativisht të gjatë, një aktivitet letrar (Eja me vjeshtën) ndërsa ende pa përfunduar festivali i filmit, tashmë në Cyrih, më 25 shtator u dha premiera botërore e shfaqjes “Swiss Connection”.

Fjala është për një komedi politike, me autor Jeton Nezirajn, e luajtur nga dy aktorë shqiptarë nga Kosova dhe dy zviceranë. Pas premierës, ajo do të vazhdojë të shfaqet në Cyrih deri më 9 tetor ndërsa pas një jave pauzë, do të bartet në një skenë të Bernës.

Dhe kjo assesi nuk është e tëra. Më 27 shtator në festivalin e njohur të filmit, ZFF në Cyrih shfaqet filmi “Zgjoi” nga Kosova, i cili ka fituar tashmë disa çmime në festivale serioze të filmit dhe është nominuar për Oscar. Pas festivalit, për “Zgjoin” do të fillojë shfaqja e rregullt në kinematë e Zvicrës gjermane.

Për shkak të temës interesante të filmit dhe numrit të madh të shqiptarëve në Zvicër, rrjeti i kinemave zvicerane pret me të drejtë publik të madh shqiptar për të parë filmin. Edhe kjo korrespondon me fillimin e tetorit. Kur kësaj t`i shtojmë edhe lajmin (e mirë) se pikërisht më 1 tetor fillon Java Kulturore Shqiptare në Cyrih, organizuar nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, merr kuptim “alarmi” nga fillimi i tekstit për “invadimin kulturor” shqiptar të Zvicrës.

Prandaj: komuniteti i këtushëm shqiptar, të paktën për këtë periudhë nuk mund të ankohet për mungesë të ofertës kulturore. Mbetet për t`u parë, ndërkaq, nëse do të jetë në gjendje ta konsumojë dhe përpunojë atë, në tërë dendësinë që i është ofruar. Prandaj, shqiptarë të dashur të Zvicrës: Shtrëngoni rripat dhe bëhuni gati për një “super racion” kulture këtë vjeshtë!

  • Editoriali është shkruar rreth dhjetë ditë më parë, për magazinën  e albinfo.ch. (versioni i shtypur). Por, “invazioni” kulturor po vazhdon…