Kosova

Hyjnë në fuqi masat kundër Kosovës

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur që masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për GazetënExpress.

Po ashtu, është konfirmuar se programi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 është suspenduar.

Ndërkohë, propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), zëdhënësi i BE-së thotë se s’janë dorëzuar fare për shqyrtim në Bordin e WBIF në takimin e mbajtur më 29 dhe 30 qershor, përcjell albinfo.ch.

“Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, ka bërë të ditur zëdhënësi.

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhiley, ka treguar se Kosova s’është përfshirë në ndarjen e një fondi 2.1 miliardë euro që është miratuar të premten nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Po ashtu bëhet e ditur se masat janë të përkohshme. “Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”, kanë thënë nga Brukseli për Gazetën Express, përcjell albinfo.ch.