Kosova

Haradinaj: Posti i kryeministrit ose presidentit duhet t’i takojë opozitës

Haradinaj: Asnjë parti nuk mori mandat për të qeverisur e vetme, një nga postet kryesore i takon opozitës

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë subjekti politik të drejtën për të qeverisur i vetëm, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, krijimi i institucioneve të reja duhet të bazohet në bashkëpunim dhe bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës, ndërsa njëri prej dy posteve kryesore të shtetit – ai i kryeministrit ose i presidentit – duhet t’i takojë opozitës.

“Për ta thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se sipas tij po kërkon përqendrimin e të gjitha pozitave vendimmarrëse në duart e pushtetit aktual.

“Nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve. Nëse ka logjikë regjimi, që në fakt kjo logjikë po ndodhë me Kurtin, ai nuk beson në ndarje të vendimmarrjes”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se opozita mund të kontribuojë në formimin e institucioneve vetëm nëse përfshihet në procesin e vendimmarrjes, e jo vetëm përmes pjesëmarrjes në ekzekutiv.

“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv”, ka përfunduar ai./Albinfo.ch