Një tjetër hapësirë për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe është hapur në Gjermani. Për herë të parë, në Degerloch të Shtutgartit ka nisur funksionimin Shkolla Shqipe “Abetarja”, një nismë e komunitetit shqiptar e mbështetur edhe nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart, transmeton albinfo.ch.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë nxënës, prindër dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, ndërsa mbështetjen për këtë nismë e ka shprehur edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Shtutgart, Hamdi Bërbatovci.
Me këtë rast, Bërbatovci ka falënderuar nxënësit, prindërit dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar për angazhimin e tyre në realizimin e kësaj nisme, e cila synon t’u mundësojë fëmijëve shqiptarë në këtë pjesë të Gjermanisë të mësojnë dhe ta përdorin gjuhën shqipe.
Mësimi në Shkollën Shqipe “Abetarja” do të zhvillohet në ambientet e Fritz-Leonhardt-Realschule, në adresën Wurmlinger Straße 63, 70597 Stuttgart-Degerloch.
Organizatorët kanë ftuar familjet shqiptare nga Degerlochu dhe zonat përreth që t’i bashkohen kësaj nisme, me synimin që fëmijët të ruajnë lidhjen me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Hapja e shkollës së re i shtohet rrjetit të iniciativave të komunitetit shqiptar në Gjermani që synojnë mësimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj të diasporës./Albinfo.ch


