Lajme
Gazeta zvicerane NZZ am Sonntag shkruan për GP Aviation dhe për borxhet e pashlyera
Gazeta zvicerane NZZ am Sonntag shkruan në artikullin të së dielës, se si themeluesi i kompanisë, një pilot zviceran që krijoi GP Aviation në vitin 2019, është liruar nga paraburgimi në Gjermani dhe është rikthyer në punë.
Ai ishte arrestuar në prill nën dyshimet për mashtrim tatimor, ndërsa autoritetet gjermane dyshohet se kërkojnë rreth 9 milionë euro detyrime tatimore nga kompania.
“Kompania ajrore zvicerano-kosovare GP Aviation vazhdon të operojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por, tani është zbuluar se ajo injoron në mënyrë sistematike pagesat e kompensimeve për pasagjerët”, thuhet në artikullin e NZZ-së.
“Pak kohë më parë ai ndodhej në një burg hetimor në Gjermani, ndërsa tani është rikthyer në kabinën e pilotit dhe shfaqet i buzëqeshur. Bëhet fjalë për pilotin zviceran, i cili në vitin 2019 themeloi kompaninë ajrore GP Aviation dhe i dha asaj emrin sipas inicialeve të tij”, shkruan tutje gazeta zvicerane.
NZZ am Sonntag shkruan se pronësia e kompanisë është transferuar në muajin maj te partneri i biznesit në Kosovë, ndërsa as ai dhe as themeluesi nuk iu janë përgjigjur gazetës zvicerane.
“Në muajin maj, aksionet e GP Aviation iu transferuan partnerit të tij të biznesit, Edvin Rramanaj, një shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova, rreth të njëzetave.”, shkruan NZZ am Sonntag.
Sipas të njëjtit raportim, përveç detyrimeve tatimore, GP Aviation përballet edhe me pretendime të tjera financiare. Gazeta i referohet portalit zviceran për të drejtat e pasagjerëve Cancelled, i cili thotë se ka fituar një proces gjyqësor në Bullgari kundër kompanisë për kompensimin e pasagjerëve, por se vendimi, sipas tyre, ende nuk është ekzekutuar.
Bashkëthemeluesi i portalit, Simon Sommer, citohet të ketë deklaruar se, pas refuzimit të pagesës, është angazhuar një përmbarues për zbatimin e vendimit gjyqësor.
Artikulli i referohet gjithashtu dokumenteve të Bankës Kombëtare të Bullgarisë, të cilat, sipas gazetës, tregojnë ekzistencën e procedurave të tjera përmbarimore ndaj kompanisë nga kreditorë të ndryshëm.
“Platforma zvicerane për të drejtat e pasagjerëve ‘Cancelled’, në emër të klientëve të dëmtuar, e ka paditur GP Aviation. Jo në Zvicër, por në Bullgari, ku kompania ka selinë juridike. Edhe pse nuk operon fluturime drejt Bullgarisë, regjistrimi atje i siguron statusin e një kompanie ajrore të Bashkimit Evropian, gjë që i mundëson të fluturojë drejt aeroporteve në të gjithë kontinentin”., shkruan NZZ am Sonntag.
Edhe drejtuesi i portalit Flyhelp, citohet të ketë deklaruar se GP Aviation ka qenë prej vitesh problematike për sa i përket organizimit të fluturimeve dhe pagesës së kompensimeve për pasagjerët.
Sipas tij, Flyhelp ka kërkesa të papaguara ndaj kompanisë në vlerë qindra mijëra euro, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre është arkëtuar përmes procedurave të përmbarimit.
Artikulli thekson se Zvicra është një nga tregjet kryesore të GP Aviation, e cila operon fluturime të rregullta nga Cyrihu, Gjeneva dhe Bazeli drejt Kosovës.
NZZ am Sonntag rikujton gjithashtu se në vitin 2024 Zyra Federale e Aviacionit Civil e Zvicrës (BAZL) nuk e kishte miratuar menjëherë orarin veror të fluturimeve të kompanisë, pasi, sipas autoriteteve, ajo nuk dispononte avionë të mjaftueshëm në pronësi. Miratimi u dha vetëm pasi kompania paraqiti një plan të rishikuar.
Artikulli përmend edhe mbështetjen financiare prej 2 milionë eurosh të miratuar nga Qeveria e Kosovës për kompanitë ajrore që transportojnë diasporën, duke iu referuar raportimeve të portalit Vox Kosova, sipas të cilit GP Aviation pritet të përfitojë pjesën më të madhe të këtyre fondeve për shkak të pozicionit të saj në treg.
Sa u përket spekulimeve për lidhje të mundshme politike, gazeta thekson se nuk paraqet prova për një përfshirje të tillë, por shkruan se këto janë objekt diskutimesh në Kosovë. Sipas artikullit, Zyra e Kryeministrit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetës lidhur me këtë çështje.
GP Aviation nuk ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve të përfshira në artikullin e NZZ am Sonntag.
E-Diaspora
-
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore Shkëmbimet tregtare mes Zvicrës dhe Kosovës kanë shënuar zhvillim dinamik gjatë viteve të fundit. Vetëm në... -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026 -
“Re:Connect” bashkoi 16 të rinj nga Zvicra dhe Kosova në Prizren
Jeta në Austri
-
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer e ÖVP-së, ka përsëritur thirrjen e saj për një buxhet... -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë? -
Vjena shqyrton qasjen falas në të gjitha tualetet publike











