Kosova

Ftesa për Goran Bregoviçin shkakton valë reagimesh kundër koncertit në Korçë

Personalitete publike e nga komuniteti artistik në Prishtinë e kritikuan këtë ftesë, por nuk mungojnë as ata që mendojnë ndryshe

Këngëtari i njohur Goran Bregoviç pritet të marrë pjesë në “Festivalin e Birrës” në qytetin e Korçës. Paralajmërimi për koncertin e artistit, që rrjedh nga një përzierje nacionalitetesh të ish-Jugosllavisë, zgjoi reagime të shumta në Shqipëri e Kosovë.

Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Eliza Hoxha, thotë se në aspektin tregtar është e drejtë e pamohueshme, por problemi, sipas saj, qëndron politikisht dhe historikisht.

“Në kuptim të historisë sonë si shqiptarë, mendoj se Shqipëria dhe bizneset private duhet të jenë më të vëmendshëm për atë që kemi kaluar ne”, shprehet deputetja.

Për ftesën që i është bërë Bregoviçit nuk u ndje mirë as shkrimtari Albatros Rexhaj. Ai thotë se ka arsye personale e kolektive për këtë, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Sipas Rexhajt, duhet të njihet e kaluara dhe ajo që ka përjetuar populli i Kosovës sidomos gjatë luftës së çlirimit.

“Nuk jam ndjerë mirë. Për herë të parë po e them më 31 korrik 1998 kam qenë i rreshtuar për pushkatim afër Fushë-Kosovës dhe as sot e kësaj dite nuk e di se si kam shpëtuar. Nuk është problemi tek muzika, por tek ballafaqimi me të kaluarën, duhet me na u njoh dhimbja jonë dhe artistët mund ta bëjnë këtë. Nëse ai zotëria shkon atje dhe thotë më vjen keq për atë që ka ndodh, në rregull atëherë”, tha ai.

Pak me ndryshe mendon profesori i Akademisë së Arteve, Mehmet Behluli. Sipas tij, këto reagime janë të bazuara në gjysmë të vërteta ose të pavërteta.

“Në Prishtinë nuk do ta kisha ftuar thjesht duke pasur konsideratë për njerëzit që kanë gjysmë informata dhe mund ta ndiejnë vetën të lënduar. Ndërsa për Shqipërinë ka kuptim tjetër, ata nuk e kanë ndjeshmërinë tonë”, shprehet profesori.

Behluli thotë se Bregoviçi nuk është serb, por nga Sarajeva me baba kroat, nënë serbe e grua myslimane dhe, sipas tij, ai ka qenë korrekt në qëndrimet politike ndaj zhvillimeve në territorin e ish-Jugosllavisë.

Për shkak të qëndrimeve karshi çështjeve të caktuara, më herët kanë ndodhur edhe anulime të koncerteve të Goran Bregoviç në Poloni e Ukrainë, ku në rastin e fundit ai ishte shprehur për aneksimin e Krimesë nga Rusia.