Vala ekstreme e të nxehtit që goditi Francën gjatë muajit qershor ka shkaktuar mijëra vdekje shtesë. Sipas të dhënave të publikuara nga Shëndeti Publik i Francës, mes datave 17 qershor dhe 2 korrik janë regjistruar 5,764 viktima më shumë se zakonisht.
Autoritetet franceze theksojnë se ende nuk është konfirmuar përfundimisht se të gjitha këto raste lidhen drejtpërdrejt me temperaturat e larta, megjithatë rritja e vdekshmërisë përkon me periudhën e valës së fortë të nxehtësisë.
Kjo konsiderohet shifra më e lartë e regjistruar në Francë që nga vala historike e të nxehtit e vitit 2003. Sipas autoriteteve shëndetësore, rritja e numrit të viktimave është vërejtur në të gjitha grupmoshat mbi 15 vjeç, me një ndikim veçanërisht të dukshëm te personat mbi 45 vjeç.
Të dhënat e reja përfshijnë edhe certifikata vdekjeje në format letër, të cilat nuk ishin përfshirë në raportimet e para, përfshirë rastet e personave të gjetur të pajetë në banesat e tyre.
Ministria franceze e Shëndetësisë kishte raportuar më herët 2,025 vdekje shtesë vetëm për periudhën 22–28 qershor, por shifrat ishin paraprake pasi mungonin të dhëna të plota nga të gjitha zonat e vendit.
Autoritetet pritet t’i përditësojnë dhe konsolidojnë këto statistika gjatë muajve në vijim.