Kinema

Festivali i filmit në Bernë hapet me “Zgjohu në Mars” nga Dea Gjinovci

“Kino Kosova” organizohet nga KULTURALINK – një shoqatë me seli në Bernë që synon të bashkojë njerëzit, përmes artit dhe kulturës

“Zgjohu në Mars” nga Dea Gjinovci ishte filmi që hapi mbrëmë në Bernë edicionin e dytë të Festivalit, “Kino Kosova”.

Edhe pse me një publik jo të shumtë në numër, filmi në fjalë zgjoi kërshërinë e shikuesve, gjë e cila u vërejt nga pyetjet e shumta pas mbarimit të filmit, ku e pranishme ishte edhe regjisorja Gjinovci, raporton albinfo.ch.

Dokumentari “Zgjohu në Mars” fokusohej në jetën e familjes 6 anëtarëshe Demiri, e cila për shkak të vështirësive që kishte kaluar në periudhën e pasluftës në Kosovë, me shpresën për një jetë më të mirë e të pabrenga, ishte detyruar të kërkonte azil në Suedi.

Duke qenë se Suedia është mjaft strikte sa u përket politikave të azilit, në këtë vend është i njohur edhe “Sindromi i Refuzimit”, që është një gjendje komatike e cila prek zakonisht të rinjtë azilkërkues të cilët integrohen mirë, e më pas papritmas ju vjen vendimi që të kthehen në vendet e prejardhjes.

Një fat të tillë e kishin edhe Ibadeta dhe Djeneta, dy vajzat e Familjes Demiri, të cilat preken nga kjo sëmundje misterioze e cila zgjati gati 5 vjet në rastin e njërës nga vajzat.

Pos lëngatës në familje, kemi në anën tjetër edhe kryeprotagonistin, Furkanin, i cili me pasion bashkëbisedon me vëllain e tij më të madh, rreth planeteve tjera si dhe jetesën në Mars, ku edhe pretendon të shkojë në një të ardhme. Aty ku sipas tij nuk do të ketë më probleme me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme. E për ta realizuar këtë qëllim, ai mbledh gjëra nga një “varrezë veturash” dhe fillon të ndërtojë “anijen kozmike”, e cila do ta dërgojë në Mars.

Pasi që jeton mes Parisit dhe Gjenevës, regjisorja Dea Gjinovci pas mbarimit të filmit, në një bashkëbisedim me audiencën, shpalosi të gjitha peripecitë e saj dhe të ekipit gjatë xhirimit të këtij dokumentari. Duke u nisur nga gjendja jo e mirë financiare, e deri edhe tek raportet gjatë xhirimeve me familjen Demiri, që nganjëherë mund të cilësoheshin paksa private, por e cila ishte tejkaluar falë besimit që kishte krijuar familja në fjalë me ekipin filmbërës.

“Fajtori” kryesor për këtë ngjarje kulturore në Bernë, Sabahat Meta, në hapje të natës së parë të Festivalit në Bernë, duke përshëndetur të pranishmit dhe të gjithë atë që e bënë të mundur këtë ngjarje kulturore, edhe përkundër shumë vështirësive, ndihej i lehtësuar që kishe arritur që Kino Kosova-n ta organizojë për të dytën herë në Bernë, shkruan tutje albinfo.ch.

“Kino Kosova” organizohet nga KULTURALINK – një shoqatë me seli në Bernë që synon të bashkojë njerëzit, përmes artit dhe kulturës. “Preokupimi ynë kryesor është të krijojmë lidhje dhe platforma për shkëmbim midis artistëve dhe audiencës. Ne kryesisht merremi me fotografi, film, video, teatër, arte pamore dhe muzikë. Këto arte synojnë të arrijnë një publik dhe të ndihmojnë në kuptimin dhe njohjen e kulturave të ndryshme si dhe shkëmbimin e ideve me njëri-tjetrin”, mund të lexohet në KULTURALINK. (https://www.kinokosova.com)

Pos Cyrihut, ku artdashësit patën mundësinë të ndjekin filma të zhanrit dhe metrazheve të ndryshëm nga 19-22 shtator, adhuruesit e Kinemasë këtë rast do ta kenë edhe në Bernë, ku do të shfaqen filma të ndryshëm nga 22 deri më 26 Shtator në Kino Rex në Bernë.

Më pas një program më filma do të jepet edhe në Gjenevë më 7 dhe 8 tetor në CineLux.

Për të ndjekur dhe për tu informuar për filmat të cilët do të shfaqen në Bernë dhe në Gjenevë muajin tjetër, ftoheni ta ndiqni faqen e https://www.kinokosova.com/, nga ku mund të informoheni me detaje rreth programit të Festivalit.

Përderisa sonte si pjesë përcjellëse e festivalit, në ICS Club në Bernë do të performojnë Grupi nga Anglia” The Bloody Foreigners” një bend i përbërë nga të rinj shqiptarë që jetojnë në Angli, e po ashtu do performojë edhe DJane Oda Haliti dhe disa artistë të tjerë.