Evropa po përballet me një realitet gjithnjë e më shqetësues klimatik: kontinenti po ngrohet më shpejt se çdo rajon tjetër i botës.
Sipas të dhënave të shërbimit evropian Copernicus, temperaturat mesatare në Evropë janë rritur me rreth 0.56 gradë Celsius për dekadë që nga mesi i viteve 1990, më shumë se dyfishi i ritmit global të ngrohjes, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Ekspertët thonë se shkaku kryesor mbetet rritja afatgjatë e temperaturave nga emetimet e gazrave serrë. Megjithatë, në Evropë ndikojnë edhe faktorë të tjerë lokalë, si shkrirja e akullit në Arktik, më pak borë në tokë dhe ndryshimet në qarkullimin e ajrit.
Një rol të rëndësishëm luan edhe ndryshimi i rrymave ajrore, veçanërisht “jet stream”, që në disa raste mund të bllokojë ajrin e nxehtë mbi kontinent për disa ditë apo javë. Kjo i bën valët e të nxehtit më të gjata dhe më të rrezikshme.
Zvicra është ndër vendet që po preket më shumë nga ndryshimet klimatike, ndërsa valët e fundit të të nxehtit kanë thyer rekorde në disa rajone të vendit. Ekspertët paralajmërojnë se episode të tilla pritet të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në vitet e ardhshme.