Lajme

Është kënaqësi dhe pasion i shpirtit tim të jem në shërbim të bashkatdhetarëve

"Në karrierën time diplomatike dhe konsullore jam shumë fleksibël në shërbim të bashkatdhetarëve, dhe është kënaqësi dhe pasion i shpirtit tim që më bën shumë krenar t’iu ndihmoj atyre, që ata të pajisen me dokumentet të cilat i kërkojnë apo t’iu dal në ndihmë me punë të tjera", thotë Isa Kosumi, konsull i Republikës së Kosovës në Vjenë

Posa kisha ardhur në mërgim, kam pasur rastin të njihem për herë të parë me zyrtarin z. Isa Kosumi në Zyrën e Migrantëve të Shoqatës „Migrare“, AK në Linz të Austrisë. Z. Kosumi punonte si zyrtar konsultimesh për të drejtat e migrantëve në Austrinë e Epërme, si në: Linz, Wels dhe Aschach. Më la përshtypjen e një burri të matur, të vendosur dhe i gatshëm që të ndihmonte çdo shqiptar. Më vonë kam pasur shumë herë biseda dhe takime spontane, ndërsa si dëshmitar i kohës, konsideroj se si intelektual i mirëfilltë, z. Kosumi ka lënë gjurmë për kulturën shqiptare në Austri dhe më vonë si Konsull i Republikës së Kosovës që ka punuar pandërprerë në çdo fushë për të ngritur vendin tonë më lart. Z. Kosumi ishte gjithmonë i gatshëm t’u dalë në ndihmë studentëve, punëtorëve, grave, pleqtë etj. që të gëzojnë të drejtat e tyre konformë ligjit në Austri dhe anasjelltas. Për albinfo.at zhvilluam një intervistë për të njohur më shumë për punën dhe veprimtarinë e Isa Kosumit, konsullit të Republikës së Kosovës në Vjenë.

A mund të na flisni me pak fjalë për biografinë tuaj, shkollimin, peripecitë gjatë studimeve, vazhdimin profesional, kur keni filluar me punën dhe cilat janë përvojat e juaja?

Fillimisht ju përshëndes dhe ju falënderoj për këtë intervistë, z. Rexha. Unë jam lindur më 1961, në fshatin Tygjec, komuna e Kamenicës. Aty kam kryer shkollën fillore dhe shkollën e mesme, ndërsa kam vazhduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ku edhe kam magjistruar në Shkencat Ekonomike. Jam i martuar me znj. Rafete Kosumi, aktiviste dhe arsimtare e gjuhës shqipe në Wels të Austrisë dhe kemi tre djem. Familja ime është e njohur për kontributin atdhetar, si familje e përndjekur, e burgosur dhe e persekutuar për dekada të tëra. Dhe, po nga represioni i egër serb që ushtronte mbi mua dhe familjen time, isha i detyruar në vitin 1992 të largohem nga Kosova së bashku me bashkëshorten dhe të emigroj në Austri, ku jetoj dhe punoj edhe sot. Si magjister i Shkencave Ekonomike, kam edhe një varg punimesh shkencore; jam aktiv në shumë seminare, me projekte të kryera. Nga viti 2009, i takoj plejadës së parë të diplomatëve të Republikës së Kosovës, në fillim si zv. konsull i akredituar në Vjenë (2009 – 2013), në mandatin tjeter nga viti (2013-2015) jam transferu në Ambasaden e Kosovës në Bern të Zvicrës si konsull dhe udhëheqës i Shërbimit Konsullor. Më vonë nga (viti 2015-2018) kam qenë i punësuar në Ministrinë për Punë të Jashtme në Prishtinë si zyrtar i Lartë për Viza. Ndërkohë nga viti 2018 kryej detyrën si këshilltar dhe konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri si dhe udhëheqës i Shërbimit Konsullor.

Çfarë plani ka Ambasada e Kosovës në bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Austrisë?

Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë ka bashkëpunim shumë të afërt në planin ekonomik në mes të Kosovës dhe Austrisë, ka shumë agjenda dhe vizita të delegacioneve shtetërore të Kosovës në Austri dhe të Austrisë në Kosovë. Kemi dërguar ndihma në pajisje për shiqim në vlerë të konsideruar, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , kemi dërguar karroca për invalidë përmes KFOR-it austriak nga Graci, donacion i shoqatave nga Graci, nga Salzburgu si dhe ndihma tjera si ndërmjetësues në disa komuna të Kosovës. Agjenda ekonomike është prioritet i lartë i Ambasadës në Vjenë. Gjatë këtij viti pritet të këtë edhe Forum Ekonomik në mes dy vendeve që do të mbahet gjatë muajit prill në Kosovë. Tërheqja e investitorëve nga diaspora sidomos nga bashkatdhetarët tanë dhe nga shteti austriak dhe kthimi i trurit, janë një nga detyrat parësore për të tërhequr bizneset austriake dhe bashkatdhetarët që të investojnë në Kosovë. Mërgata përpiqet të kontribuoje financiarisht për familjet në vendlindje dhe në aspekte të tjera, prandaj konsullata përpiqet që duke krijuar kushte lehtësuese, lidhje, takime, ta përmirësoj shërbimin sa më cilësor që u ofron shtetasve të saj.

Çfarë bashkëpunimi keni me ambasadat e shteteve të tjera në Vjenë  dhe cili është roli juaj në këtë bashkëpunim?

Takime të tilla pune kemi zhvilluar dhe e kemi prioritet në planin dhe programin tonë të punës me Ambasada dhe Konsullata si motra në Vjenë – Austri, nga takimet e përbashkëta me rastin e festave shtetërore, bashkëpunim në sferën e shërbimit konsullor duke i shkëmbyer praktikat e disa vendeve tona fqinj, si me shtetin amë, Ambasadën e Shqipërisë, të Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Gjermanisë, Malit të Zi, Bullgarisë, si dhe Ambasada të tjera nga vendet mike si nga rajoni dhe më gjerë.

A keni komunikuar me ambasadat e shteteve të Evropës që nuk e njohin Kosovën?

 Komunikimi me shtetet e Evropës, të cilat ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës mund të bëhet në mënyrë direkte dhe indirekte. Në mënyrë direkte kontaktet me homologet e këtyre shteteve është sado pak më i vështirësuar për arsyeje të rrethanave dhe gjendjes momentale, ndërsa takimi indirekt zhvillohet me lehtësi në evenimente, përvjetorë, takime ceremoniale shtetërore dhe takime me homolog të rangut të njëjte, zhvillohet dhe mund të jep shumë rezultate pozitive.

Cilat janë problemet më të mëdha që i hasni në postin e konsullit?

Në karrierën time diplomatike dhe konsullore jam shumë fleksibël në shërbim të bashkatdhetarëve, dhe është kënaqësi dhe pasion i shpirtit tim që më bën shumë krenar t’iu ndihmoj atyre, që ata të pajisen me dokumentet të cilat i kërkojnë apo t’iu dal në ndihmë me punë të tjera. Por, ka raste në të cilat ballafaqohem direkt me to, kurse kushtet objektive nuk lejojnë kryerjen e tyre, atëherë ndihem keq. Disa nga këto probleme për të cilat kemi intervenuar tek zyrtarët austriakë janë:

Njohja zyrtare e patentëshoferëve të Republikës së Kosovës nga shteti austriak, ku dënimet për mosnjohjen e patentë-shoferëve nga qytetarët kosovar me qëndrim të përkohshëm apo transit janë të larta, sidomos për ata qytetarë që nuk janë të informuar dhe në kufi  gjobiten dhe kthehen prapa. Njohja dhe pranimi i dokumentacionit të gjendjes civile në tërë territorin e shtetit austriak si: Certifikatat e lindjes, martesës, shtetësisë, penalitetit etj,  sepse në pjesën dërmuese të Republikave austriake, nuk njihen. Kemi raste të freskët kur, pas 6 muajsh të lëshimit shtetësie, autoritetet kërkojnë prapë që vendimi të legalizohet! Ka raste kur autoritetet austriake (si p.sh: Vjena) krahas vendimit për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës, qytetarëve tanë u kërkojnë edhe vendim nga lirimi i shtetësisë serbe. Mos pranimi i vulës apostile të Republikës së Kosovës nga shteti i Austrisë është gjithashtu një problem. Çdo student duhet që gjitha dokumentet t‘ i vulosë në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, ku një vulosje kushton tetëdhjetë euro. Ne, kemi kërkuar gjithashtu që të shkurtohet koha e pritjes kur qytetarët tanë të cilët heqin dorë nga shtetësia e Kosovës deri sa të pajisen me pasaportë austriake, kohë kjo e cila po u shkakton probleme atyre që kanë mbetur “pa shtet “, Lëshimi në përdorim i vulës apostile (legalizime) në Ambasadë (Shërbimin Konsullor) shërbim ky për të cilin kemi kërkesa të jashtëzakonshme, edhe pse vulat i kemi në sirtarë të gatshme.

A mund të flisni për zgjedhjet politike në Kosovë dhe ndërrimin e ambasadorëve të Kosovës në disa vende të botës?

 Si zyrtar publik (diplomat karriere) nuk mund të dal jashtë kompetencave të mia si diplomat, prandaj flas vetëm në veten e parë dhe për gradat të një barasvlere. Në mbështetje të dispozitave ligjore përcaktuese të kohëzgjatjes së mandatit në një mision diplomatik apo konsullor dhe në përputhje me parimet e përgjithshme të rotacionit proporcional, pas mandatit 4-vjeçar kthimi në Ministri të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës është shumë normale dhe e perceptueshme. Zyrtarët e Kosovës në ambasada, konsullata dhe në ministri në fund të fundit e kanë shef ligjin dhe sovranin, pra qytetarin e Republikës së Kosovës, atë që jeton brenda, por edhe jashtë vendit. Kush nuk e kupton këtë parim bazë në mënyrë direkte, ndeshet me sanksione.

Çfarë bashkëpunimi ka Ambasada e Kosovës me shoqatat shqiptare në Austri si dhe me Shoqatën e Mësuesve „Naim Frashëri“ me seli në Vjenë?

 Në dy vjetët e fundit jemi dëshmitar të një pandemia famëkeqe Covid-19, i cili ka penguar dhe dobësuar në masë të madhe punën tonë bashkëpunuese dhe mbështetëse me shoqata. Me Shoqatën e Mësuesve „Naim Frashëri“, Ambasada ka një bashkëpunim shumë të afërt si përhere. Aktiviteti i fundit ka qenë organizimi i vizitës së nxënësve shqiptarë në Ambasadë, ku nxënësit shqiptarë recituan disa poezi. Ishte aktivitet në kuadër te përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës. Aktivitet tjetër ishte edhe konkursi i recitimit me pjesëmarrje të nxënësve nga Austria, Kroacia, Anglia dhe Landi i Bajernit nga Gjermania. Këto organizime bëhën në bashkëpunim mes shoqatave të mësuesve në diasporë dhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë. Në të ardhmen priten të ketë edhe ngjarje të tjera, me qëllim që fëmijët shqiptar te ruajnë kulturën, gjuhën dhe traditën vendore në përgjithësi. Në aspektin e angazhimit të nxënësve në përfshirje të mësim-nxënieve dhe bashkëpunimeve interne me trekëndëshin prindër, mësues, nxënës dhe marrëdhënia prind-mësues, është çelësi i suksesit të fëmijës. Ky angazhim i shenjtë në këtë drejtim, në të ardhmen, lë për të dëshiruar!

Cili është plani juaj për të ardhmen?

 Të vazhdoj punën me dinjitet si diplomat karriere, duke u dalë në ndihmë bashkatdhetarëve tanë. Të drejtoj me shumë përgjegjësi, dinjitet dhe konsekuencë ndonjërën nga Ambasadat apo Konsullatat tona të akredituara jashtë vendit. Të përfaqësoj dhe mbrojë interesat e shtetit tim karshi vendit të akredituar, si dhe të jem gjithmonë në mbrojtje të interesave më vitale të Republikës së Kosovës duke krijuar ura ndërlidhëse përmes metodave njerëzore, ekonomike, kulturore dhe diplomatike me të gjitha shtetet e botës.

Përvoja ime mbi 13-vjeçare në shërbimin diplomatik të Kosovës është një dëshmi dhe përgjegjësi reale, pasqyrë e kontributit, vullnetit dhe aspiratave të mia në vazhdimësi.