Lajme

Eklipsi i pjesshëm diellor nesër, ekspertët paralajmërojnë: Mos e shikoni pa syze mbrojtëse

Sipas parashikimeve, eklipsi pritet të arrijë kulmin mes orës 20:15 dhe 20:20, pak para perëndimit të Diellit në orën 20:42

Me eklipsin e pjesshëm diellor që pritet të ndodhë nesër, ekspertët e sigurisë po u bëjnë thirrje qytetarëve që fenomenin ta vëzhgojnë vetëm me syze të certifikuara posaçërisht për eklipse.

Astrofotografja Angela Fux paralajmëron se ekspozimi i syve ndaj rrezeve të Diellit pa mbrojtje adekuate mund të shkaktojë dëmtime të përhershme të shikimit.

Rreziku ekziston edhe gjatë fotografimit. Shikimi i drejtpërdrejtë i Diellit përmes viewfinder-it optik të një aparati fotografik pa pajisje dhe filtra të përshtatshëm mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm, transmeton albinfo.ch.

Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë që personat pa pajisjet dhe përvojën e nevojshme të mos tentojnë ta fotografojnë drejtpërdrejt eklipsin.

Sipas parashikimeve, eklipsi pritet të arrijë kulmin mes orës 20:15 dhe 20:20, pak para perëndimit të Diellit në orën 20:42.

Por spektakli në qiell nuk përfundon me eklipsin. Pas perëndimit të Diellit, vëmendja do të kalojë te shiu i meteorëve Perseid, një nga fenomenet astronomike më të njohura të vitit.

Për ata që synojnë të fotografojnë Perseidët, rekomandohet përdorimi i një objektivi me kënd të gjerë (wide-angle), ekspozimit të gjatë dhe trekëmbëshit për ta mbajtur aparatin plotësisht të qëndrueshëm.

Kështu, mbrëmja pritet të ofrojë dy fenomene të veçanta astronomike, fillimisht eklipsin e pjesshëm diellor dhe më pas shiun e meteorëve Perseid.