Kosova
Edhe një takim i dështuar për dinarin në Bruksel
Bashkimi Evropian tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë.
“BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një komunikatë për media pas një takimi trepalësh në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me kryenegociatorin e Serisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut Mirosllav Lajçak, për herë të shtatë të mërkurën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Bislimi e cilësoi si të dështuar takimin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa Petkoviq tha se pala kosovare i “refuzoi të gjitha propozimet”.
Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.
“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.
Stano tha se BE-ja kishte bërë disa propozime dhe ide gjatë bisedimeve dhe se palët kishin arritur t’i tejkalonin disa dallime në mënyrë që të sigurohej dërgimi i të hollave nga Serbia në Kosovë, përfshirë pajtueshmërinë për themelimin e një entiteti biznesi në përputhje me ligjin e Kosovës, detyra e të cilit do të ishte shpërndarja e ndihmës financiare nga Serbia.
Por, sipas komunikatës, megjithëse BE-ja e kishte bërë një propozim kompromisi që i “përshtatej” qëndrimeve të palëve “në shkallë maksimale të mundshme”, palët nuk u pajtuan për disa çështje kyçe, përfshirë as për shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të entitetit të ri, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë.
Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por se “Prishtina i refuzoi të gjitha”.
“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Petkoviq.
Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.
Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.
Bislimi tha se “95 për qind e propozimit të palës serbe ka të bëjë me legalizimin e strukturave ilegale”, e jo me përfituesit e ndihmave nga Serbia.
“Serbia ka qëllime, e para t’i legjitimojë strukturat paralele ilegale. Sipas tyre, zgjidhja duhet të kërkohet në kalimin nga një sistem ilegal paralel, në një sistem legal paralele. Dhe, në anën tjetër, sipas tyre zgjidhja është në një sistem që e siguron edhe më tej mungesën e plotë transparencës, e cila ka qenë njëra nga qëllimet e Bankës Qendrore [të Kosovës]”, tha Bislimi.
Serbët në Kosovë për vite me radhë marrin asistencë sociale dhe pagesa të tjera nga buxheti i Serbisë.
“Mungesa e një marrëveshjeje ka pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë dhe është shqetësim i vazhdueshëm”, tha Stano.
BE-ja, si ndërmjetësues, mbetet e gatshme për një takim tjetër për këtë çështje, sapo palët të tregojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme dhe të dyanshme, sips Stanos./REL
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”













