Shqipëria përtej bregdetit

Ecje dhe bjeshkë nga veriu deri në jug

Thethi dhe Valbona kanë filluar udhëtimin e tyre në turizëm falë entuziazmit dhe besimit të disa pionierëve që kishin vizion

Është shumë vështirë të vlerësohet nëse Thethi është ende një destinacion i fshehur në Evropë apo është një i etabluar, një margaritar i Shqipërisë “A must see”. Nuk ka ndonjë standard të vlerësimit për këtë. Cilado që të jetë e vërteta për Thethin, Bjeshkët e Nëmuna mbeten një destinacion që ofron nje mix të bukur të të fshehurës dhe shërbimit standard hotelier.

Thethi dhe Valbona, si dy qendrat kryesore të Shqipërisë Veriore të pushimit në bjeshkë, kanë filluar udhëtimin e tyre në turizëm falë disa pionierëve me vizion të cilët lëshuan dhomat e tyre të fjetjes me qira e pastaj vazhduan me rregullimin e tualeteve moderne dhe më pas, përderisa ardhja e turistëve rritej e rritej, ata ngritën profesionalizimin dhe ofertën e këtyre shtëpive pritëse.

Dy pionierët e veriut: Koli dhe Pavlini

Këto dy fshatra i kanë edhe dy heronjtë e vet. Kolë Gjoni nga Valbona ndërtonte akomodim në Valbonë në kohën kur nga aty kishte vetëm migrim. Fqinjët i thoshin: o Kolë, hidhi paratë në lumë, njësoj si të ndërtosh në Valbonë e ke!


Në luginen fqinje është Pavlin Polia ai që mori bajrakun e turizmit dhe tani përveç bujtinës, menaxhon edhe grupe turistësh që udhëtojnë në rajon. Pavlini i cili ka pjesën më të madhe të familjes në SHBA, gjatë rrugëtimit të tij e kishte pësuar edhe nga djegia totale e shtëpisë. Mirëpo ai e rindërtoi shtëpinë e tij. Mikpritja që u kishte bërë mysafirëve u bë shkas që të niste edhe një fushatë e mbledhjes së fondeve për shtëpinë e tij.


Rritja e turizmit në veri të Shqipërisë me ndihmën e një projekti të quajtur “Peaks of the Balkans”, nxiti tërë rajonin. Këndelli Plavën dhe Gucinë në Malin e Zi si dhe bjeshkët e Rugovës dhe Deçanit në Kosovë të cilat ndoqën hapat e Kolës dhe Pavlinit për të ndërtuar një përvojë unike të ngjitjes së Majave të Ballkanit.
Historia e këtij udhëtimi epik në Alpet Shqiptare tashmë ka marrë dhenë: është raportuar ne “New York Times”, në “Indipendent”, në “Financial Times”, në “Guardian”. Ky mbulim i gjërë i bjeshkëve të fshehura tashmë ka bërë që veriu i Shqipërisë të mos jetë edhe aq i fshehur. Megjithatë, ka pjesë të këtij udhëtimi që ende mbesin shumë larg masave të mëdha të turistëve.

Ka ende pjesë të paprekura

Guida Adriatik Gacaferi i cili deri tani ka udhëhequr me dhjetëra grupe, thotë se ka pjesë të këtyre bjeshkëve që gjithsesi janë larg secilit turist.
“Është lugina e Gashit, një pjesë e paprekur, ku nuk kalon asnjë shteg. Aty jane disa nga pyjet më të vjetra në botë, të mbrojtura, nga viti i kaluar prej UNESCO-s. Këso pyjesh ka në Gjermani dhe në Poloni, e fatmirësisht edhe në Shqipëri”, tregon Adriatiku i cili ka eksploruar këtë pjesë për të kënaqur kurreshtjen.
“Gjithmonë jam në dy mendje nëse duhet të shkoj atje me turistë, apo t’i lë ato pyje të qeta”.


Adriatiku vazhdon tregimin e vet per majat e fshehta te Ballkanit:  “Është fshati Qereq, një pikë e fshehtë e Shqipërisë Veriore. Nje fshat në vetëm 800 metra lartësi mbi nivelin e detit , i rrethuar me pesë maja me nga mbi 2500 metra lartësi mbi nivelin e detit”, shpjegon ai.
Qereqi gjindet në jug nga Thethi e Valbona dhe së bashku me fshatrat si Curraj i Epërm dhe Lepushë përbëjne majat e fshehta të Ballkanit, që mbeten larg turistëve të cilët vijnë në Theth vetëm për të parë kullat dhe soditur majat, pa e përjetuar ecjen.

Korabi dhe Peshkopia

Majet e thepisura të Bjeshkëve të Nëmuna mund të sfidohen nga bukuria e bjeshkëve më të thata dhe më rrumbullake siç janë ato të Korabit, që lidhen me Maqedoninë te Popova Shapka dhe me Kosovën, te Bjeshkët e Sharrit.
Kjo pjesë është përpunuar nga ekspertët e GIZ (Agjencia Gjermane për Zhvillim) mirëpo ende nuk ka arritur që të sfidojë namin e Alpeve Shqiptare. Bjeshkët e Nemuna mbesin të ngjyrosura edhe me mistikën e kanunit, gjakmarrjes dhe veprës madhështore të shkrimtarit shqiptar më të njohur në arenën ndërkombëtare Ismail Kadare – “Prilli i Thyer”.

Për të ngjitur Korabin, majën më të lartë të këtyre bjeshkëve, ka një numër të madh të operatorëve mirëpo, për ecje më të gjata, shërbimet janë më vështirë të gjenden. Për këtë arsye Nol Krasniqi nga “BalkanNatural Aventure” thotë: “Për ne si kompani më lehtë është të shitet një destinacion që tashmë është parë në mediat ndërkombëtare. Vendet si Bjeshkët e Peshkopisë që lidhen me Bjeshkët e Sharrit mbeten më larg por ne ofrojmë shërbime edhe atje”, pohon ai. Hollësi lidhur me këtë mund të gjeni në linkun: www.bnadventure.com.

Jugu dhe ecjet e nxehta

Zakonisht turistët e ndajnë Shqipërinë në veri për bjeshkët dhe ecje, ndërsa jugun për det. Mirëpo kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Përderisa veriu konkurron me disa plazhe si Shën Gjini, jugu konkurron me ecje sidomos në kohën kur veriu është thellësisht i izoluar nga bora. Kompanitë si “Sipa Tours”( http://www.sipatours.com ) dhe “Balkan Natural Adventure” ofrojnë ecje me pamje në bregdet që mund të bëhen në muajt shkurt deri prill. Gjatë kësaj kohe këtu mund të kënaqeni me një klimë të butë dhe pamje në det si dhe ikje të plotë nga të ftohtit e Evropës kontinentale dhe turizmi masiv i skive.

Kola që ndërtonte në Valbonë

Kolë Gjoni nga Valbona ndërtonte akomodim në Valbonë në kohën kur nga aty kishte vetëm migrim. Fqinjët i thoshin: o Kolë, hidhi paratë në lumë, njësoj si të ndërtosh në Valbonë e ke!

Fotot: Ken Spencer