Lajme

Ebola mbërrin në Francë, konfirmohet rasti i parë në Evropë

Ebola mbërrin në Francë, pacienti në izolim të rreptë

Franca ka konfirmuar rastin e parë me virusin Ebola, te një mjek i kthyer nga një mision humanitar në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë theksuar se rreziku për popullatën mbetet shumë i ulët, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ministrisë franceze të Shëndetësisë, pacienti është transferuar në një qendër të specializuar dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Autoritetet thanë se masat e izolimit janë zbatuar menjëherë pas mbërritjes së tij në vend, për të shmangur çdo rrezik të përhapjes së virusit.

Ndërkohë, ka nisur gjurmimi i kontakteve të personit të infektuar, të cilat do të qëndrojnë në izolim për 21 ditë.

Shpërthimi i Ebola-s është përqendruar kryesisht në provincën Ituri të Republikës Demokratike të Kongos, ku deri më 21 qershor janë regjistruar 1.048 raste të konfirmuara dhe 267 viktima. Edhe Uganda fqinje ka raportuar 20 raste dhe dy të vdekur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli shpërthimin emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik më 17 maj, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se numri real i rasteve mund të jetë dukshëm më i lartë se ai i konfirmuar.

Shtami aktual i virusit, Bundibugyo, konsiderohet i rrallë dhe aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim të miratuar kundër tij. Sipas vlerësimeve të ekspertëve amerikanë, ky shpërthim mund të shndërrohet në një nga më të mëdhenjtë në historinë e Ebola-s. /Albinfo.ch