Lajme

Doli numri më i ri i magazinës albinfo.at – edicioni për Austri

...dhe pritjes i erdhi fundi. Magazina e shumëkërkuar prej jush albinfo.at, tani mund të gjendet në duart tuaja! Nga sot, lexuesit në Austri dhe Kosovë mund ta shfletojnë numri më të ri të revistës albinfo.at, edicioni për Austri

Redaksia albinfo.at në Austri, në bashkëpunim me redaksinë albinfo.ch në Zvicër, kanë sjellë edhe kësaj radhe një numër me tema të larmishme, të cilat kryesisht lidhën me shqiptarët në Austri.

Ballina e magazinës albinfo.at i është rezervuar tenorit shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu. Ekskluzivisht për albinfo,at flet Saimir Pirgu, i cili konsiderohet si njëri nga tenorët bashkëkohor më të rëndësishëm në botë si interpretues i lirikës operistike.

“Pema e miqësisë kërkon të ujitet vazhdimisht”, është titulli që mban intervista me z. Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri. Për albinfo.at ai flet për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe për nevojën që ato të kultivohen edhe më tutje.

Një tjetër intervistë interesante është ajo me mikun e shqiptarëve në Austri, eurodeputetin austriak, Lukas Mandl. “… Austria dhe Kosova janë të lidhura ngushtë; Popullsia kosovare në Austri po rritet gjithnjë e më shumë… Përtej kësaj, investimet austriake në Kosovë janë mbi mesataren. Shumë kompani austriake mbështeten në fuqinë punëtorë nga Kosova”, shprehet Mandl, i cili është edhe kryetar i shoqatës “Miqësia Kosovë – Austri”. Eurodeputeti Mandl ndër të tjera flet edhe për udhëheqjen e Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit si dhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Edhe në këtë numër albinfo.at prezanton bashkatdhetare dhe bashkatdhetarë të suksesshëm, përmes portreteve dhe intervistave të realizuara me ta.

Këtu bën pjesë Argtim Hani, njëri nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në Austri, pastaj kompania “Hekuri GmbH”, një kompani serioze që udhëhiqet me plot suksese nga dy djem seriozë, si dhe vëllezërit Gjeka, të cilët udhëheqin katër kompani në Vjenë.

Nuk mungojnë as portrete të shumë shqiptarëve të suksesshëm, të cilët me punën dhe sukseset e tyre dita-ditës janë duke shkëlqyer në fusha të ndryshme në Austri. Dhe jo vetëm këto, edhe tema, reportazhe, intervista dhe shumë artikuj të tjerë interesantë mund t’i lexoni në këtë numër të revistës albinfo.at.

Duhet theksuar se edhe ky numër i magazinës albinfo.at u bë i mundur falë ndihmës së kompanive shqiptare në Austri dhe Kosovë.

Magazina albinfo.at sikurse deri më tani shpërndahet falas dhe mund të gjendet në autobusët e linjës Austri – Kosovë dhe Austri – Maqedoni, në Aeroportin e Prishtinës, në Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë në Austri, si dhe një tirazh i konsiderueshëm i saj shpërndahet përmes postës në shumë shoqata, lokale dhe vende të tjera që frekuentohen nga shqiptarët kudo në Austri.