Lajme

Diaspora vazhdon protestat pas vendimit të Speciales, tubime në Francë dhe Londër

Protesta janë paralajmëruar në Mulhouse dhe Londër, pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Tubime të reja të diasporës shqiptare janë paralajmëruar në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton albinfo.ch.

Në Mulhouse të Francës është paralajmëruar një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët, sipas vendimit të Gjykatës Speciale, janë dënuar me gjithsej 81 vjet burgim. Sipas organizatorëve, protesta do të jetë paqësore dhe do të mbahet të shtunën, nga ora 17:00.

Ndërkohë, një tjetër tubim është paralajmëruar në Londër për të dielën, më 27 shtator. Sipas njoftimit të Këshillit Organizativ, protesta do të mbahet nga ora 11:30 deri në 13:30, në Richmond Terrace.

Këshilli Organizativ ka bërë të ditur se tubimi do të zhvillohet me moton “JO NË EMRIN TIM!”, ndërsa ka theksuar se qëllimi i organizimit është shprehja e solidaritetit dhe kërkesa për drejtësi, paanshmëri dhe respektim të të drejtave të secilit.

Në njoftimin për protestën në Londër, organizatorët kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e solidaritetit mes shqiptarëve, pavarësisht vendit ku jetojnë.

Protestat në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar janë pjesë e tubimeve të organizuara nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme pas vendimit të Gjykatës Speciale të shpallur më 16 shtator./Albinfo.ch