Lajme
Bora shkaktoi çrregullime në trafikun rrugor dhe atë ajror në Zvicër
Dhjetëra aksidente rrugore janë regjistruar gjatë fundjavës në Zvicër si pasojë e reshjeve të dendura të borës, të cilat përfshinë edhe zonat e ulëta. Ndërkohë që bora solli gëzim për familjet dhe fëmijët, duke mundësuar lojëra dimërore si ndërtimi i burrave të dëborës, igluve dhe beteja me topa bore, kushtet e vështira atmosferike shkaktuan probleme serioze në trafik.
Sipas MeteoSwiss, nga e shtuna deri të dielën në mëngjes, në shpatet veriore të Alpeve ranë nga 20 deri në 40 centimetra borë të re, ndërsa në Alpet e Glarusit deri në 70 centimetra. Në pjesët e tjera të Alpeve, reshjet ishin më të lehta, nga 5 deri në 20 centimetra, transmeton albinfo.ch.
Në Rrafshnaltë dhe në rajonin e Jurës ranë nga 1 deri në 10 centimetra borë, ndërsa lokalisht deri në 20 centimetra në Ajoie dhe në një pjesë të madhe të zonës përreth Liqenit të Cyrihut.
Kantonet Aargau, Thurgau, St. Gallen dhe Solothurn raportuan dhjetëra aksidente rrugore nga e shtuna deri të dielën në mëngjes. Sipas autoriteteve, shumica e tyre u shkaktuan nga bora, akulli dhe shpejtësia e papërshtatshme për kushtet e rrugës.
Në kantonin e St. Gallenit u plagosën pesë persona, mes tyre edhe një fëmijë. Në Rapperswil-Jona, një borëpastruese rrëshqiti dhe goditi një vajzë gjashtëvjeçare që ndodhej në anë të rrugës.
Në kantonin e Aargaut u regjistruan të paktën 40 aksidente, shumica të lehta. Policia kantonale bëri të ditur se në disa raste automjetet ishin ende të pajisura me goma vere
Edhe pse bora ra edhe në lartësi të ulëta, Zvicra frankofone (Romandia) u prek më pak nga aksidentet. Në kantonin e Friburgut, tre aksidente ndodhën në autostradë gjatë fundjavës, pa të lënduar. Midis Rossens dhe Matranit, një kamion rrëshqiti dhe përfundoi i vendosur tërthorazi në autostradë, por më pas arriti të vazhdonte rrugën, sipas policisë së Friburgut.
Në Cyrih, qarkullimi i autobusëve u ndërpre përkohësisht të shtunën për shkak të borës dhe akullit.
Çrregullime në trafikun ajror
Reshjet e borës ndikuan edhe në trafikun ajror, veçanërisht në aeroportin e Gjenevës, ku u anuluan shtatë fluturime nga dhe drejt Amsterdamit. Kompania ajrore Swiss njoftoi gjithashtu për vonesa të gjata në aeroportin e Cyrihut, kryesisht për shkak të procesit të shkrirjes së akullit nga avionët.
Rrezik i shtuar ortekësh
Motit të keq iu shtua edhe rreziku i lartë i ortekëve. Sipas Institutit për Studimin e Borës dhe Ortekëve (SLF), niveli i rrezikut ishte i lartë (4 nga 5) të dielën në disa rajone alpine, veçanërisht në Valais-in perëndimor. Ky nivel u ul në “të konsiderueshëm” (3 nga 5) deri të hënën në mëngjes për pjesën më të madhe të Alpeve.
Një ortek ndodhi në malet mbi Flumserberg (St. Gallen). U angazhuan forca të shumta për kërkimin e personave të mundshëm të bllokuar, përfshirë Rega-n (Shërbimi Ajror i Shpëtimit Zviceran) dhe shërbimet alpine të shpëtimit të Alpeve Lindore. Pas rreth tre orësh kërkimi, operacioni u ndërpre, pasi nuk u gjet asnjë person i mbuluar nga bora. Ortekja kishte ndodhur jashtë pistave të shënuara
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 Talenti me prejardhje nga Kosova fiton besimin e klubit bavarez dhe pritet të jetë pjesë e... -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












