Shqipëria

“Deri më 2030, Shqipëria do të ketë 30 milionë turistë”

“Nuk është absolutisht marrëzi të mendosh, duke parë si ka filluar ky vit, që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë përpara vitit 2030”, u shpreh Edi Rama

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi sot se kërkesa për Shqipërinë në vitin 2030 mund të arrijë deri në 30 milionë turistë, ndaj duhet të punojmë që oferta t’i përgjigjet kërkesës.

Rama iu referua shifrave në rritje të numrit të turistëve të huaj, ndërsa u shpreh se “nuk është absolutisht marrëzi të mendosh, duke parë si ka filluar ky vit, që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë përpara vitit 2030”.

“Kujtoj një takim me operatorët turistikë në Durrës, ku ata shpreheshin shumë të kënaqur që shifra e vizitorëve të huaj në Shqipëri kishte arritur 5 milionë, dhe unë u thashë pas 5 vjetësh mos u çudisni që do të shkojmë 10 milionë. Shumëkush kishte arsye për ta vënë në diskutim këtë parashikim që nuk ishte si hedhje falli ose si ato premtimet që shpeshherë hidhen në ajër nga njerëz që e bëjnë këtë gjë për të kërkuar vota apo mbështetje dhe pastaj i merr era. Ishte tamam si ato parashikimet e rezultatit të zgjedhjeve që janë të bazuara në analiza faktike, në të dhëna konkrete dhe projeksione trendesh që kanë pa diskutim një bazë shkencore”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në vitin 2030 kërkesa për Shqipërinë mund të arrijë deri në 30 milionë turistë.

“Nëse i kthehem objektivit tonë shumë ambicioz për të pasur 20 milionë turistë në vitin 2030, kam shumë frikë se do të gaboja, pasi do të na duhet të shikojmë edhe këtë vit, dhe vitin e ardhshëm, për të pasur më shumë siguri për një projeksion 5-vjeçar. Unë them se nuk është absolutisht marrëzi të mendosh, duke parë si ka filluar ky vit, që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë më përpara dhe në 2030-ën kërkesa për Shqipërinë mund të arrijë deri në 30 milionë”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi sot se nga turizmi Shqipëria si vend ka përfituar 4.2 miliardë euro, një shifër shumë domethënëse.

“Kujtoj numrin e familjeve në Tiranë, Durrës, Vlorë, tani ka filluar të shfaqet si tendencë dhe në Shkodër, por edhe në vende të tjera që japin me qira apartamentet e tyre përmes sistemit “Airbnb” dhe që fitojnë të ardhura nga turistë të cilët nuk shkojnë nëpër hotele. Po të shohësh numrin e vizitorëve 10 milionë, nuk përputhet me shtretërit që ne kemi në hoteleri dhe një pjesë e madhe e tyre i drejtohen shtëpive”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se gjithë ky fond është i pataksuar dhe i padeklaruar në pjesën e vetë dërrmuese.

“Është një fond i gjithi i paprekur në asnjë cent dhe shkon tek familjet dhe është i konsiderueshëm. Qëllimisht ne kemi qenë shumë liberalë dhe tërësisht të vetëdijshëm se nuk është ky momenti për të hyrë edhe tek ky fond dhe për t’i ngacmuar familjet me taksa për këtë pjesë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se këto janë të ardhura të jashtëzakonshme që i vijnë Shqipërisë.

“Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë do të thotë turizmi për ekonominë e tyre, për pagat të cilat i kërkojnë më të larta, për pensionet për të cilat ka një diskutim historik tradicional, a thua se rritja e pensioneve është çështje dëshire”, tha Rama.